Sot në orët e hershme të mëngjesit Instituti i Mjekësisë Ligjore u kaplua nga zjarri.
IML doli me një reagim për të informuar opnionin lidhur me rastin.
Sipas tyre dyshohet se shkaktari i zjarrit ishte një defekt elektrik.
“Sipas vlerësimeve preliminare shkaku i zjarrit ka qenë defekti elektrik në njërën nga pajisjet elektrike në korridor, mirëpo mendimi përfundimtar do të jepet pas ekspertizës finale e cila do t’i dorëzohet Prokurorisë. Dëmi material është i vogël”, theksohet në njoftim.
Ndërkaq IML njofton se objekti do të rinovohet.
“Me këtë rast, njoftojmë opinionin publik se IML pritet t’i nënshtrohet procesit të renovimit i cili projekt ka kosto rreth 900,000 euro dhe do të fillojë sapo të përfundojnë procedurat e prokurimit, të cilat gjenden në fazën e ofertimit të operatorëve ekonomik e që parashihet të përmbyllet me 2 korrik. Renovimi do të përfshijë instalimin e sistemit kundër zjarrit, zëvendësimin dhe riparimin e instalimit elektrik, ventilimin dhe klimatizimin e ri, si dhe ridizajnimin e hapësirave të punës.”, thuhet tutje në njoftim.