Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën e paraqitur nga ish-kryeshefi ekzekutiv i Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Agron Mustafa, duke konfirmuar aktakuzën për korrupsion ndaj tij.
Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e paraqitur nga Mustafa, përmes avokatit të tij Driton Muharremi.
Gjykata Themelore në Prishtinë në prill e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Mustafa për rastin “PAYKOS”, e që dëmi i pretenduar ndaj Telekomit thuhet të jetë afër 7 milionë euro.
Mustafa kishte pretenduar se aktvendimi i Themelores përmbante shkelje të dispozitave të procedurës penale dhe se Prokuroria kishte vepruar në kundërshtim me ligjin.
Mustafa gjithashtu kishte ngritur dyshime mbi ligjshmërinë e aktakuzës dhe kishte kërkuar që çështja të kthehej në Prokurori për harmonizim me gjendjen faktike.
Sipas tij, aktakuza nuk plotësonte standardin minimal të dyshimit të bazuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata e Apelit më 14 gusht, përmes aktvendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, megjithatë, e ka cilësuar ankesën si të pabazuar, duke argumentuar se pretendimet e paraqitura nuk e ndryshojnë vendimin e shkallës së parë.
Gjykata ka theksuar se në këtë fazë të procedurës shqyrtohet vetëm ligjshmëria e nxjerrjes së provave dhe ngritjes së aktakuzës, ndërsa çështjet që kanë të bëjnë me provat dhe mbrojtjen e të pandehurit do të vlerësohen në një shqyrtim të mëtejshëm gjyqësor.
Në përfundim, Gjykata e Apelit ka vendosur që çështja të kalojë në shqyrtim gjyqësor, ku do të vërtetohet fajësia apo pafajësia e të pandehurit.
“Betimi për Drejtësi” kishte siguruar edhe aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila rezulton të jetë përpiluar më 3 maj 2023.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Mustafa në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës SH.A në Prishtinë, më 16 mars 2015 e në vazhdimësi me dije ka vepruar në dëm të PTK-së, ashtu që fillimisht ka lidhur kontratë – marrëveshje me Paykos L.L.C ku operatori ekonomik luan rolin e ndërmjetësuesit/distributorit të shitjes tek pala e tretë për shitjen e produkteve kryesisht mbushje elektronike dhe kode të gjeneruara elektronike për kartela gërvishtëse, çmimet e produkteve dhe shërbimeve kanë përfshirë edhe TVSH-në, ku provizioni total i shitjes ishte 9.7% të transaksionit.
Tutje, akti akuzues thotë se i akuzuari Mustafa me dashje dhe me qëllim që t’i shkaktojë dëm material Ndërmarrjes Publike “Telekomi i Kosovës”, ka nënshkruar vazhdimisht ankese shtesë ku secili lloj i provizionit që do të paguhet ndaj operatorit ekonomik i është shtuar përqindja në TVSH, duke e favorizuar kështu Paykosin në njërën anë e në anën tjetër e ka dëmtuar Telekomin e Kosovës.
Sipas akuzës, të dëmshme janë vlersuar Aneksi II, III, V dhe VI, Memorandumi i vitit 2016 dhe Marrëveshja komerciale-bashkëpunimi-ofrimin e shërbimeve për lojë shpërblyese.
Me lidhjen e këtyre ankeseve-marrëveshjeve, akuza thotë se i akuzuari Mustafa me dije ka vepruar në dëm të ndërmarrjes që vazhdimisht i ka ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të ndërmarrjes që ka përfaqësuar, në vend që t’i mbrojë interesat e saj, ashtu që i njëjti me dashje i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe Telekomit të Kosovës, dhe atë në vlerë prej 6 milionë e 796 mijë e 732 euro.
Me këto veprime, Mustafa akuzohet se ka kryer veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”, nga neni 291, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, dhe lidhur me nenin 81, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2 dhe 1.5 të KPRK-së.
Ndryshe, Mustafa ngarkohej edhe në një rast tjetër, për të cilin në dhjetor të vitit 2022, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë, e cila më 21 shtator 2021, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj tij dhe dy ish-drejtuesve tjerë të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj, të akuzuar për korrupsion. /BetimipërDrejtësi