Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se raporti i Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI) për Kosovën, i cili u publikua ditë më parë, konfirmon shqetësimet që LDK ka ngritur në vazhdimësi.
Hoti në Facebook ka renditur disa nga shqetësimet, derisa ka përmendur edhe mospërmbushjen e premtimeve elektorale.
“Gjithnjë e më pak qytetarë mendojnë se janë të lirë të shprehin opinionet e tyre, situatë kjo e krijuar nga sulmet e militantëve dhe zyrtarëve të lartë të mazhorancës ndaj analistëve, gazetarëve dhe opozitës. Dështimi më i madh i Qeverisë është në “përmbushjen e premtimeve elektorale”: në secilin sektor, sido që të matet, as për së afërmi nuk janë përmbushur premtimet me të cilat Kurti dhe Osmani kanë marrë besimin e qytetarëve në vitin 2021. Tri problemet më të madha janë: inflacioni, papunësia dhe kujdesi shëndetësor. Lidhur me gjendjen e ekonomisë, 69% të qytetarëve nuk janë të kënaqur. 60% e qytetarëve thonë se çmimet e ushqimeve janë të larta. Korrupsioni është i lidhur me qeverinë”, ka shkruar Hoti./TelegramNews./