Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se është e papranueshme që në zgjedhjen e anëtarit të Bordit të Trustit Pensional që përfaqëson punëtorët, të përzgjidhet një person që sipas evidencës së ofruar nga BSPK-ja nuk i plotëson kriteret ligjore për të qenë përfaqësues i punëtorëve në Bordin e Trustit Pensional.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka ftuar të gjitha sindikatat të bëhen bashkë “për të parandaluar këtë shkelje”.
“Shihni letrën e BSPK-së dërguar Kuvendit të Kosovës dhe anëtarëve të Komisionit për Buxhet dhe Financa. Në fakt, kjo sjellje e qeverisë nuk është asgjë e re tanimë. Gjatë mandatit të kësaj qeverie është mbytur dialogu social. Qeveria ka luftuar sindikatat me të gjitha mjetet. Puna e Këshillit Ekonomik-Social është paralizuar”.
Hoti tutje ka shkruar se pagesat që punëtorët kanë bërë si kontribut tani po kontrollohen nga Qeveria.
“Pagesat simbolike që punëtorët kanë bërë si kontribut i anëtarësisë në sindikata tani kontrollohen nga Qeveria dhe tani këto lloj pagesa janë përgjysmuar. Secili sindikalist që ka kundërshtuar qeverinë është linçuar nga zyrtarë e militantë të partisë në pushtet, të cilat linçime janë pasuar me veprime të tjera në organizatën përkatëse. Këta mashtrues që bëjnë thirrje për fuqizim të sindikatave në sektorin privat po e pengojnë me çdo formë organizimin sindikal në sektorin publik”, ka thënë Hoti. /TelegramNews/