Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë prezantimit të programit “Rruga e Re” për ekonominë, tha se plani i LDK-së propozon krijimin e një fondi në vlerë prej 120 milionë eurove për të mbështetur rritjen dhe zhvillimin e sektorit të TIK-ut në Kosovë.
“Fondi do të ofrojë mbështetje financiare për startup-et, SME-të dhe kompanitë e themeluara në sektorin e TIK-ut. Mbështetja do të jetë në formën e kapitalit, borxhit dhe granteve, në varësi të nevojave të kompanive. Fondi do të ofrojë gjithashtu asistencë teknike për kompanitë, duke përfshirë shërbimet e zhvillimit të biznesit, mentorimin dhe stërvitjen”, tha Abdixhiku.
Kosova ka një popullsi relativisht të re, me rreth 50% të qytetarëve të saj nën moshën 25-vjeçare dhe ky fakt sipas Abdixhiku, paraqet një mundësi të madhe për zhvillimin e sektorit të TIK-ut.
“Ne do të bashkëpunojmë me bizneset e sektorit, universitetet, shkolla profesionale dhe qendrat e trajnimit për të zhvilluar këto programe. Do t’i shfrytëzojmë programet aktuale të bizneseve të sektorit, për të amplifikuar trajnimin në nivel kombëtar. Brenda një mandati qeverisës, ne synojmë t’i trajnojmë nga 35 deri në 40 mijë të rinj”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku tha se “Rruga e Re” parasheh ndarjen e 80 milionë eurove për financimin e trajnimit të ekspertëve në fushën e teknologjisë informative dhe programuesve të rinj.
“Rruga e Re” parasheh po ashtu edhe krijimin e Parkut Teknologjik, që sipas Abdixhikut, do të krijonte mjedis të favorshëm për rritjen dhe zhvillimin e sektorit të TIK-ut.Ai tha se LDK propozon edhe themelimin e Ministrisë së Teknologjisë.
LDK në programin “Rruga e Re”, ka paraparë të ndajë edhe rreth 15 milionë euro për Programin Kombëtar të Inteligjencës Artificiale.