Të flasësh për televizionin dhe industrinë mediatike në përgjithësi nuk mund të kufizohesh vetëm në aspektin informues. Mediat si agjentë socializues, krahas këtij funksioni kanë fuqi të madhe edhe në krijimin e opinionit publik pasi edhe informatat të cilat ne i marrim çdo ditë janë të shumta.
Duke pasur parasysh që po jetojmë në epokën e teknologjisë dhe se sot burim kryesor i informacionit janë mediat, jemi duke parë rritje të formateve televizive dhe portaleve të cilët në rivalitet me njëra tjetrin, nga dëshira për të kapur audiencën mundohen me çdo kusht të ndikojnë te publiku, duke krijuar shumësi të burimeve të mediave e cila rezulton në homogjenizim mediatik, kështu duke u kthyer në institucionin që ndikon në mënyrë të thellë në strukturën dhe funksionimin e shoqërisë moderne.
Por përveç kësaj mediat/televizionet janë shëndrruar edhe në mjet që po ushqen egocentrizmin dhe vetëpëlqimin e individëve të caktuar, duke çuar në ndryshim të vlerave shoqërore, ku vlerat si modestia, empatia po zëvendësohen me vetëpëlqim, konkurrencë dhe individualizëm.
Mediat e televizionet në vend janë shëndrruar në arena për dialog, e debate politike. Debatet televizive në Kosovë janë një pjesë thelbësore e peizazhit mediatik dhe luajnë një rol të rëndësishëm në formësimin e diskursit publik dhe politik në vend. Por ato gjithashtu reflektojnë ndarjet politike dhe mund të çojnë në polarizim të mëtejshëm të shoqërisë. Në garën e ashpër që po zhvillohet sot mund të themi se televizioni i është nënshtruar shijes së publikut, e që si qëllim të vetëm ka përfitimin e vet material. Sa i përket debateve televizive po shihet gjithnjë e më shumë nervozizmi e agresiviteti dhe një tentim i individëve të caktuar të cilët përdorin televizionin për të realizuar objektivat e manipulimit politik, përmes kontaktit me publikun.
Kur themi përdorimin e mediave me çdo kusht nga individ të caktuar kujtojmë sociologun, Pierre Bourdieu i cili thotë “ekrani i televizionit është kthyer sot në një lloj pasqyre të narcizit, një vend ekzibicioni narcizist”.
E koncepti i televizionit si pasqyrë e narcizit na fton të reflektojmë mbi ndikimin e fuqishëm të mediave në formësimin e vetëdijes individuale dhe kolektive dhe të marrim në konsideratë sesi mund të krijojmë një mjedis mediatik që promovon vlera më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme shoqërore.
Madje Bourdieu te libri i tij “Mbi Televizionin” bënë një analizë të përzgjedhjes së të ftuarve në studiot televizive ku ndër tjerash thotë:
“Në radhë të parë duhet të jeshë gjithnjë në dispozicion që do të thotë gjithnjë gati për të marrë pjesë në emisionet ku të thërrasin, por gjithashtu edhe të jesh pjesë e lojës, duke pranuar t’i përgjigjesh të gjitha pyetjeve edhe atyre më të çuditshmëve dhe më tronditëseve që gazetarët mund të pyesin, të jesh gati të bësh çdo lëshim e kompromis thjeshtë për të qenë aty e për të siguruar përfitimet direkte apo indirekte të të qenurit i famshëm mediatikisht”.
Pavarësisht se si rol kryesor demokratik i medias shihet ofrimi i mundësisë së zhvillimit të një debati politik dhe serioz, diskursi dhe gjuha e përdorur nga politikanët në mediat tona po tregon se si shoqëri kemi mungesë të kulturës së komunikimit në përgjithësi sepse kultura dhe shoqëria nuk mund të funksionojnë ndaras.
Kur flasim për kulturën e masave kujtojmë autorët, Horkheimer dhe Adorno të cilët argumentojnë se programet televizive, filmat etj., janë produkte që riprodhohen vazhdimisht pikërisht mbi arsyetimin e kërkesës së masës.
Pra sot, debati konstruktiv dhe i argumentuar po zëvendësohen prej llafazanërisë e bashkëbiseduesve të pakualifikuar, nën arsyetimin e kërkesës së masës.
Prandaj televizionet e mediat në vend nga frika e humbjes në tregun e punës, kanë redukutuar në analizat e debatet serioze dhe kanë humbur përgjegjësinë e vet mediave për edukim dhe informim./Edona Salihu
Opinioni përmban pikëpamjet e autorit dhe nuk prezanton qëndrimet editoriale të TelegramNews.