Kandidati i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se është takuar me profesorin amerikan Daniel Serwer me të cilin thotë se ka diskutuar për proceset dhe sfidat nëpër të cilat është duke kaluar Kosova.
“Një bisedë e gjatë dhe përmbajtësore me profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të politikës së jashtme Amerikane Daniel Serwer. Diskutuam për proceset dhe sfidat nëpër të cilat është duke kaluar Kosova.”
Haradinaj ka thënë se angazhimi i Serwerit në Kosovë dhe Ballkan është vlerë për rrugën dhe përcaktimet e Kosovës dhe prioritetet që garantojnë paqen dhe sigurinë në Ballkan.
“Anagazhimi me dekada i Prof. Serwer në Kosovë dhe Ballkan dhe memoria insitucionale si ish diplomat në Ballkan janë shumë me vlerë për rrugën dhe përcaktimet e Kosovës dhe prioritetet që garantojnë paqen dhe sigurinë në Ballkan.”
Haradinaj ka shtuar se e ka ftuar profesorin Serwer të vijë në Kosovë “për të ndarë pikëpamjet dhe për të ofruar ndihmën e tij, që Kosova të rikthehet në partneritetin strategjik me aleatë, posaçërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.