Edhe pse ditën e djeshme u përurua nënstacioni i ri “Ferizaj 3”, i cili synon përmirësimin e furnizimit me energji elektrike dhe ndalimin e reduktimeve, qyteti dhe fshatrat përreth vazhdojnë të përballen me ndërprerje të energjisë.
Banorët e Ferizajt shprehen të zhgënjyer pasi kishin pritur që me ndërtimin e këtij nënstacioni, problemet me reduktimet të zgjidheshin.
Aktualisht, reduktimet arrijnë deri në 3-4 orë në ditë, duke prekur jo vetëm zonat rurale, por edhe vetë qytetin.
Pavarësisht shpresave të qytetarëve, situata mbetet e pandryshuar, ndërsa ende nuk ka një afat të qartë për stabilizimin e furnizimit me energji, raporton gazetarja Qliresa Hasani, në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova.