Tash e një kohë është përfolur se trajneri i Ballkanit, Ilir Daja është drejt largimit nga klubi portokallezi.
E tash, duket se koha ka ardhur.
Siç merr vesh TelegramNews, është vetëm çështje orësh zyrtarizimi i largimit të tij nga Ballkani.
Tre herë kampioni i Kosovës me suharekasit, pritet që karrierën ta vazhdojë te skuadra nga Shqipëria, Dinamo City.
Skuadra nga Tirana, mbrëmjen e së martes njoftoi për pezullimin e trajnerit, Dritan Mehmeti.
Klubi ndër tjerash bëri me dije që ai do të jetë trajneri i skuadrës U21, deri në momentin që skuadra gjen një trajner të ri.
E tashmë sipas informacioneve tona, skuadra nga kryeqyteti shqiptar pritet që shumë shpejt ta zyrtarizojë Ilir Dajën si trajnerin e tyre të ri.
Ndryshe, ky do të ishte një rikthim i Dajës te skuadra dinamovite pas plotë 14 vitesh, pasi karrierën si trajneri, ai e kishte nisur pikërisht këtu.
Ndërsa në të kaluarën ka qenë edhe trajneri i disa skuadrave tjera si Besa, Tirana, Skënderbeu, Flamurtari, Partizani e së fundmi edhe i Ballkanit.
Nga ana tjetër, te Ballkani janë dy trajner të cilët po përflitet se mund të jetë zëvendësues të Ilir Dajës.
Siç merr vesh TelegramNews, Orges Shehi dhe një trajner tjetër nga Bosnja dhe Harcegovina – të cilit redaksia ende nuk i ka siguruar emrin – mund të marrin drejtimin e Ballkanit.