Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor Ekrem Bajroviq dhe e ka dënuar me 12 vjet burgim për krime lufte gjatë vitit 1998-1999 në Komunën e Istogut dhe fshatrave përreth.
Aktgjykimi ndaj Bajroviq u shpall të premten, nga gjykatësi, Mentor Bajraktari, i cili tha se në dënimin me burgim, të njëjtit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, raporton “Betimi për Drejtësi”, transmeton TelegramNews.
Po ashtu, të akuzuarit Bajroviq i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar.
Në fund, gjykatës Bajraktari tha se palët e pakënaqura ndaj këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit në afat prej 30 ditësh pas pranimit së të tij.
Sipas këtij aktgjykimi, i akuzuari Bajroviq obligohet që të paguajë të gjitha shpenzimet e procedurës penale dhe në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 300 euro dhe për fondin e kompensimit të viktimave shumën prej 100 euro, në afat ligjor prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të ngritur më 15 shtator 2023, Ekrem Bajroviq po akuzohet gjatë viteve 1998-1999 ka kryer krime lufte kundër popullsisë civile, në Komunën e Istogut dhe fshatrat përreth.
Bajroviq akuzohet se si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në aplikimin e masave represive të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturë, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe depërtimit të popullsisë civile, plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.