Më 10 janar të këtij viti është nënshkruar kontrata për ndërtimin e urës së Badovcit e cila lidh Prishtinën dhe Gjilanin.
Vlera e kontratës së nënshkruar me kompaninë fituese “Dreni Inginiering” është 468 mijë e 522 euro, sipas dokumentit publik.
Derisa në këtë kontratë të nënshkruar në mes të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) dhe “Dreni Inginiering” thuhej se punimet do të kryhen në afat prej 125 ditëve, që i bie se e punimet do të duhej të përfundonin rreth mesit të muajit maj të këtij viti.
TelegramNews ka kontaktuar zëvendësministrin e Infrastrukturës, Hysen Durmishi për të pyetur se deri në cilën fazë kanë arritur punimet.
Durmishi tha se punimet janë duke vazhduar derisa i tha redaksisë “çka pritët që punimet me përfundu për afat kohor kaq të shkurtër a?”
“Punimet në urën tek Liqeni i Badovcit janë duke vazhduar, afati kohor i punimeve zgjatë 125 ditë. A keni qenë me i pa ju nga afër punimet. Po normal që nuk kanë përfundu, çka pritet që punimet me përfundu për një ditë a? Tek ura janë duke punu dhe punimet zgjatin 125 ditë”, tha Durmishi shkurt për TelegramNews.
Ndërkaq planifikimi i punimeve ishte prej muajit janar kur ishte nënshkruar kontrata me një kompani dhe çysh atëherë thuhej se punimet do të përfundojnë për 125 ditë teksa këto punime filluan më 12 gusht.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrakstrukturës në muajin maj të vitit 2023 ka mbyllur urën tek Liqeni i Badovcit pas vlerësimit se paraqet rrezik dhe pak ditë më vonë ministria asfaltoi rrugën alternative mbi 1 km e gjatë e cila po shfrytëzohet deri në rregullim të urës./TelegramNews./ D.Dërmaku