Në mungesë të prokurorit të shtetit, ka dështuar për herë të dytë në Gjykatën Themelore në Prishtinë seanca në rastin ku Kreshnik Aliçkaj, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Drejtues të Filharmonisë së Kosovës, po akuzohet për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
Gjyqtari Driton Berisha tha se prokurori është ftuar në mënyrë të rregullt, por i njëjti është në pushim mjekësor. Emri i prokurorit nuk u bë i ditur.
Gjyqtari Berisha shtoi se për këtë ka kontaktuar edhe me prokuroren përgjegjëse të Departamentit të Përgjithshëm, por sipas saj nuk ishte e mundur që të dërgohet ndonjë prokuror tjetër për këtë çështje penale.
Në mungesë të kushteve ligjore, seanca e sotme është shtyrë për një datë tjetër.
Edhe seanca e 26 gushtit 2024 kishte dështuar në mungesë të përfaqësuesit të Prokurorisë.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 24 shkurt 2022 ka ngritur aktakuzë me kërkesë për dhënien e urdhrit ndëshkimor kundër Kreshnik Aliçkajt, i cili akuzohet se në cilësinë e kryetarit të Këshillit Drejtues të Filharmonisë së Kosovës, me rastin e marrjes së detyrës më 19 maj 2021, nuk e ka përmbushur obligimin ligjor për deklarimin e pasurisë në afat prej 30 ditësh (deri më 19 qershor 2021).
Aktakuza thotë se i akuzuari nuk e dekaroi pasurinë brenda afatit 30 ditor, por me një muaj vonesë (9 korrik 2021).
Me këtë, Aliçkaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe burgim deri në tri vjet./ BetimipërDrejtësi