Ilir Daja ka veshur dje pasdite uniformën blu dhe ka zhvilluar seancën e parë stërvitore në krye të Dinamos.
Edhe pse nuk është bërë ende prezantimi zyrtar i tij, mund të themi se te 18 herë kampionët e Shqipërisë ka nisur epoka “Daja”.
Këtë herë trajneri kryeqytetas e ka gjetur skuadrën me një shtëpi të re në Arbanë.
Pasi ka shkuar në kompleksin e bluve, ku të pranishëm ishin të gjithë drejtuesit e klubit, me presidentin Adrian Bardhi në krye, trajneri 57- vjeçar ka zbritur në fushë.
Dhe para se të niste punën në terren, ai ka folur për rreth 10 minuta me grupin e futbollistëve. Ishte prezantimi i Dajës me skuadrën, ku ai rigjen disa lojtarë që i ka stërvitur më parë, siç janë Dita, Bregu, Hoxha dhe Meksi.
Kreu i ri i stolit kryeqytetas u ka bërë të qartë lojtarëve idetë e tij dhe më pas ka nisur menjëherë punën në fushë, duke e “shtrydhur” mirë skuadrën që në seancën e parë.
Daja vjen te Dinamo bashkë me djalin e tij në staf, Glenin, ashtu si te Ballkani kohët e fundit.
Të dy kanë nisur “misionin” për përgatitjen e derbit me Partizanin, që është programuar të zhvillohet më 12 shtator.
Një javë kohë për Dajën, i cili do të debutojë në stolin e Dinamos në një ndeshje specifike, në shtëpinë e Partizanit, tjetër skuadër që ai e ka drejtuar më parë.