Më 4 korrik,Mbretëria e Bashkuar do t’i mbajë zgjedhjet kombëtare, të cilat, sipas sondazheve, pritet t’u japin fund 14 vjetëve të qeverisjes së udhëhequr nga Partia Konservatore.
Si funksionon sistemi zgjedhor?
Britania e Madhe është e ndarë në 650 zona elektorale. Në secilën prej tyre, votuesit zgjedhin nga një kandidat lokal, që më pas do ta zërë një vend në Parlament.
Votuesit zgjedhin një kandidat në fletën e tyre të votimit dhe kandidati me më së shumti vota fiton.
Kandidatët zakonisht janë pjesë e ndonjë partie më të madhe politike.
Për ta siguruar shumicën në Parlament, një parti duhet të fitojë të paktën 326 ulëse. Lideri i partisë që e arrin këtë numër bëhet kryeministër dhe e formon Qeverinë.
Nëse asnjë parti e vetme nuk e fiton shumicën, kryeministri në detyrë mbetet në pushtet dhe i jepet mundësia e parë për ta formuar një qeveri duke e ndërtuar një koalicion ose duke qeverisur si pakicë.
Kush mund të votojë dhe si?
Votuesit duhet të jenë të paktën 18 vjeç në ditën e votimit dhe të jenë shtetas britanikë, shtetas irlandezë ose shtetas të kualifikuar të Komonuelthit.
Rreth 50 milionë njerëz janë regjistruar për të votuar. Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 22:00, sipas kohës lokale. Votimi mund të bëhet duke shkuar nëpër vendvotime, me postë ose nëpërmjet një përfaqësuesi.
Votuesit duhet ta kenë me vete një dokument identifikues me fotografi për të votuar. Këto janë zgjedhjet e para kombëtare, në të cilat kërkohet një gjë e tillë, megjithëse ishte vendosur si rregull për zgjedhjet lokale në vitin 2023.
Qytetarët britanikë që jetojnë jashtë shtetit, gjithashtu, do ta kenë mundësinë të votojnë pavarësisht se sa kohë kanë që jetojnë jashtë vendit. Tre milionë qytetarë të tillë britanikë mund të votojnë, sipas Komisionit britanik Zgjedhor.
Kur do të shpallen rezultatet?
Një sondazh do të publikohet nga transmetuesit menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit.
Njësitë zgjedhore nisin numërimin e votave sapo të mbyllen qendrat e votimit dhe rezultatet e para vijnë brenda disa orësh. Shumica e fituesve deklarohen brenda natës, ndonëse në disa zona rurale kjo zgjat më shumë, veçanërisht nëse rezultati është i ngushtë dhe kërkohet rinumërim.
Edhe pse nuk jepet ndonjë deklaratë për ndonjë fitues të përgjithshëm, rezultati zakonisht është i qartë dikur mes orës 5 dhe 7 të mëngjesit.
Kur vendoset për kryeministrin e ri?
Sapo që rezultati i përgjithshëm të jetë i qartë, nëse Qeveria aktuale ka humbur, kryeministri do t’ia paraqesë zyrtarisht dorëheqjen e tij mbretit. Kjo pritet të ndodhë më 5 korrik.
Udhëheqësi i partisë fituese do të takohet më pas me mbretin, i cili do t’i kërkojë atij ose asaj ta formojë një Qeveri.
Më pas, kryeministri i ardhshëm zakonisht shkon në Downing Street për ta mbajtur një fjalim para publikut.
Çfarë ndodh më pas?
Gjatë ditëve në vijim, udhëheqësi i ri do ta fillojë emërimin e ministrave të Qeverisë, duke filluar nga postet e larta dhe duke kaluar në role me më pak përgjegjësi.
Parlamenti do ta rinisë punën më 9 korrik. Kryetari i Dhomës së Ulët të Parlamentit do të zgjidhet nga radhët e deputetëve të Parlamentit.
Secili deputet më pas do ta bëjë betimin për besnikëri ndaj mbretit ose do ta bëjë një pohim solemn (deklarim se do ta thotë të vërtetën). Kjo procedurë zakonisht zgjat disa ditë.
Hapja Shtetërore e Parlamentit dhe Fjalimi i Mbretit, që përcakton programin e legjislacionit të Qeverisë për seancën parlamentare, do të bëhen më 17 korrik, megjithëse kjo datë mund të ndryshohet nga Qeveria e ardhshme.
Kush pritet të fitojë?
Sondazhet tregojnë se Partia Laburiste e opozitës qëndron më mirë sesa konservatorët e kryeministrit aktual, Rishi Sunak.
Sondazhi i YouGov ka parashikuar se laburistët mund të fitojnë 425 ulëse, ndërsa konservatorët 108.
Ky rezultat do ta shënonte numrin më të vogël të ulëseve të fituara nga Partia Konservatore në historinë e saj gati 200-vjeçare.
Në zgjedhjet e vitit 2019, konservatorët fituan 365 vende dhe laburistët 202. Që atëherë, dorëheqjet, përjashtimet dhe disa ngjarje të tjera e kanë reduktuar shumicën e konservatorëve. Tani që janë afruar zgjedhjet e vitit 2024, konservatorët kanë 344 ulëse dhe laburistët 205./rel