119 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë të Kosovës, vullnetarisht e kanë lëshuar ushtrinë gjatë këtij viti. Kjo është deklarata e ministrit të Mbrojtjes gjatë raportimit para deputetëve në komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Lidhur me këto shifra, partitë parlamentare opozitare, e ish-kryeinspektori i AKI-së, vlerësojnë se ky është dështim i Qeverisë Kurti, pasi sipas tyre nuk po munden tua plotësojnë kushtet ushtarëve të FSK-së.
Opozita , ish-kryeinspetori i AKI-së dhe njohësit e proceseve, përgënjeshtrojnë raportimet se pjesëtarët e FSK-së po e braktisin ushtrinë për shkak të bashkimeve familjare, ushqimit dhe gjerave të tjera që nuk përkojnë me realitetin, por ushtarët po e braktisin armatën për shkak të pagave të ulëta, mirëqenjes së dobët, dhe kushteve të cilat janë të pranishme mes pjesëtarësh të armatës.
Nga Ministria e Mbrojtjes, thonë se largimi vullnetar i pjesëtarëve të FSK-së nuk rrezikon pjesën operacionale të doktrinës mbrojtëse, duke shpresuar se paraqitja e numrit të madh të të rinjve tanë në FSK, është burim sigurie që flet për perspektivën ushtarake të shtetit të Kosovës.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ka dhënë një shembull të një ushtari të FSK-së, i cili është i biri i një dëshmori.
Berisha, ka thënë se shumica e ushtarëve e braktisin FSK-në për shkak të kushteve jo të mira që ofrohen aty dhe nuk ndërlidhen gjërat me lëshim vullnetar të tyre.
Lidhur me këtë Berisha thotë:
“Ata janë të betuar mbi gjakun e prindërve të tyre. Është e pa imagjinueshme se një ushtar braktis ushtrinë për gjëra si ushqimi, bashkimi familjar që nënkupton martesa, por ata e lëshojnë se nuk ka paga ekzistenciale, nuk ka kushte elementare, përndryshe ata nuk heqin dorë nga ëndrra e tyre, sepse po e braktisin edhe aso që i kanë baballarët dëshmorë dhe i detyrohen gjakut të babait dhe dëshmorëve tjerë”, thotë Hisen Berisha,ish epror ushtarak dhe deputet nga PDK.
“Kemi shumë ushtarë, rast konkret Agron Hasanaj, djali i vetëm, i prindit të vet dëshmorë… Betimi i tij, është mbi gjakun e babait të tij, e kësi raste ka shumë brenda forcës. Ushtria është karrierë, lidhet me çështjen e gradimit me procedura dhe persona jo meritorë.
Cili ushtar profesionit, detyrohet që pas orarit të punës, të punojë sigurim në diskotekë, taksi apo të shpërndajë pica e ushqime, pra këta qeveritarë, e kanë vra dinjitetin”, ka thënë Berisha.
Ndërsa, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka shtuar se Qeveria është në gjendje të demolojë strukturalisht ekzistencën e shtetit të Kosovës për interesa puro personale dhe hajni.
Selmanaj: Ushtarët me auto-stop shkojnë në kazermë
Selmani thotë se është mjeruese kur i sheh ushtarët e FSK-së duke shkuar në kazermë me auto-stop. “Ato çka kemi pa ne në rastin e ushqimit, janë përpjekje që ata edhe procesin e furnizimit me ushqim, ta bëjnë në mënyrën sekrete, që i bie mundësi për të vjedhë…Kush është ky person, a është kryeministri i këtij vendi apo s’është, apo është shërbim që të kryej misionin ndaj dikujt tjetër”, ka shtuar Selmanaj.
Po ashtu, ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, ka theksuar se largimi vullnetarë i pjesëtarëve të FSK-së është kthyer në një lloj trendi, akt i cili duhet të jetë shqetësues për ministrinë e Mbrojtjes dhe Qeverinë e Kosovës.
“Është jashtëzakonisht shqetësuese, se largimi vullnetarë i pjesëtarëve të FSK-së, është kthyer në një lloj trendi. Raste individuale ka pasur, ka dhe do të ketë por në raste kur kthehet në trend, kjo nënkupton një alarm për ministrinë e Mbrojtjes. Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës, duhet të gjejnë formën se si të mbajnë, jo vetëm patriotizmin dhe atë ndjenjën patriotike, që pa asnjë dilemë pjesëtaret e FSK-së e kanë, por edhe plotësimin e kushteve që detyra e tyre ”, ka theksuar Ramadani. /Telegram News