Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mirëpriti në takim ambasadorin e Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se në takim është diskutuar për aplikim e Kosovës në Bashkimin Evropian.
“Palët biseduan rreth procesit të integrimit evropian të Kosovës dhe synimet e objektivat e vendit tonë në rrugën përpara. Zëvendëskryeministri theksoi se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian mbetet prioritet dhe se nevojiten hapa konkretë tutje në trajtimin e aplikimit dhe marrjen e pyetësorit”, thuhet në njoftim.
Tutje, thuhet se Bislimi ka kërkuar heqjen e masave ndëshkuese nga BE të cilat ai i quajti të padrejta për Kosovën.
“Zëvendëskryeministri trajtoi dhe nevojën e heqjes sa më parë të masave ndëshkuese nga ana e Bashkimit Evropian, të cilat mbeten të padrejta. Ai e informoi ambasadorin edhe mbi zhvillimet e fundit dhe procesin e dialogut. Nga ana e tij, ambasadori Nissinen rikonfirmoi marrëdhëniet e fuqishme mes dy vendeve tona dhe mbështetjen e palëkundur ndaj Kosovës”, thuhet më tej në njoftim.