Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka reaguar pasi kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka njoftuar se e ka paditur atë për shpifje.
Basha i tha Pacollit se në vend që të i vije keq “që ke pe përfunduar si ata të tjerët duke e ndihmuar veten e jo popullin, ti del më kërcënon me prokurori”.
“Si politikan nuk t’beson më kush sepse n’vend se me rritë mirëqenien e qytetarëve ke përfundu duke e rritë pasurinë tënde duke privatizu shtetin e një populli të varfër, e derisa e ke rritë pasurinë, normal që e ke ul besimin te qytetarët! Prandaj veç mos na moralizo se nëse unë gaboj, nuk mundet me pas gabim krejt populli”
“Unë se kam pasurinë tënde, por për dallim prej teje, s’kam privatizu asnjëherë pronë të shtetit dhe marr pjesë në komisione e seanca, aty ku ti s’dukesh kurrë”, tha Basha.
Pacolli dje bëri të ditur se e ka denoncuar Bashën në prokurori, për siç tha, gënjeshtrat dhe fyerjet e tij.
“E ka merituar edhe një denoncim në prokurori. E kam paditur për gënjeshtrat e tij, ai ka gënjyer dhe ka ofenduar 5 mijë punëtorë që punojnë këtu në Kosovë. Pas intervistës, e kam dërguar në prokurori”, tha Pacolli.