Të martën është mbushur një vit nga sulmi terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit në veriun e Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku dhe një polic tjetër pësoi lëndime, ndërsa grupi terrorist serb, pësoi me tre serbë të vrarë.
Se Serbia nuk e ka mendjen të heq dorë nga veriu i Kosovës, ka dëshmuar mbështetja e organizuar e simpatizuesve të Klubit Futbollistik Partizani, kur në tribuna u shpalos fotografia e një pjesëmarrësi të grupit që u vra në Banjskë me 24 shtator të vitit 2023, duke e ngritur në piedestalin e heroit serb.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka deklaruar se përderisa grupi i Banjskës është në liri ekziston rreziku për ndonjë sulm tjetër në veri, të ngjashëm me Banjskën.
Megjithatë, Elshani ka siguruar se në rast të përsëritjes Policia e Kosovës është e përgatitur për reagim dhe ka numër te mjaftueshëm të pjesëtarëve policorë.
Mundësinë e përsëritjes së një apo më shumë sulmeve në veri të Kosovës Elshani e mbështet në faktin se njeriu mi i afërt i vet presidentit te Serbisë Milan Radoiçiq, jeton i lirë në Serbi.
Radoiçiq, madje ka blerë shtëpi të re ne vendin më të shtrenjtë në Dedinje të Beogradit, pikërisht në kohën kur emri i tij lakohet rregullisht në Kosovë, Serbi dhe në bashkësinë ndërkombëtare, në krye me SHBA-të dhe shtetet e QUINT-it që kanë kërkuar dhe kërkojnë vazhdimisht nga Serbia bashkëpunim në drejtësi për zbardhjen e aktit terrorist në Banjskë, vepër të cilën e ka pranuar ish nënkryetari i Listës Serbe.
Elshani e ka cilësuar më të çasshme Policinë e Kosovës në veri ku është krijuar bindja te serbët se forcat policore të Kosovës mund të arrijnë çdo kund dhe për çdo kënd, pas shpartallimit të grupeve kriminale
Njohësi i politikave të sigurisë për Ballkanin Perëndimor Daniel Server, gjithashtu e sheh rrezikun e Kosovës nga Serbia, derisa Beogradi nuk jep shenja bashkëpunimi me drejtësinë rreth aktit terrorist në Banjskë.
Për ta hequr dilemën se Serbia paraqet rrezik për Kosovën me sulme të ngjashme sikur të Banjskës, dëshmon deklarata e vet presidentit të Serbisë Vuçiq se Serbia nuk ka hequr dorë nga Kosova dhe se Serbia do të jetë e gatshme të kthehet në Kosovë në momentin e parë të volitshëm sipas vlerësimit.
Tutje, thuhet se Radoiçiq është duke u hetuar si i dyshuar dhe ngarkohet me tri vepra penale: shoqërim për kryerjen e veprave kriminale, prodhim, mbajtje, dhe trafikim të paligjshëm të armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese dhe krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.
I njëjti në tetorin e vitit të kaluar, pak ditë pas sulmit terrorist në veri të Kosovës , u intervistua dhe lirua nga prokurori në Beograd.
Prokuroria Speciale e Kosovë ka ngritur aktakuzë për Radoiçiqin dhe grupin prej 45 serbëve nga sulmi në Banjskë, e cila aktakuzë është mbështetur nga bashkësia ndërkombëtare./Telegram News