Avokati i familjes së policit të ndjerë Afrim Bunjaku, Arianit Koci, ka thënë ky është një gjykim kompleks me pasoja të rënda për vetë palët e dëmtuara. Ai ka theksuar se kanë interes që sa më shpejt të kryhet ky proces.
“Jam përfaqësues i familjes së policit të ndjerë Afrim Bunjaku. Ne kemi interes që sa më shpejt të kryhet ky proces, për shkak se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, por nuk guxojmë të bëjmë asnjë gabim procedural në mënyrë që Gjykata e Apelit mos ta kthen në rigjykim pra”, ka deklaruar Koci, pas seancës.
Sipas tij, sulmi që ka ndodhur në Banjskë, ka mundur të ketë pasoja të rënda për vetë rendin kushtetues të Kosovës.
“I kemi 42 persona që janë në arrati, lajmi i mirë është që janë në “Red Notice” të INTERPOL-it dhe asnjëri prej tyre nuk mund ta lëshojë Serbinë sepse mund të arrestohet menjëherë”, ka thënë Koci.
Koci ka deklaruar se mbrojtja e të akuzuarve i pati disa kërkesa rreth printimit të dokumenteve.
“Besoj që Prokuroria nuk ka bërë asnjë gabim në këtë rast. E ftoj Prokurorinë që sa më pak të deklarohet për këtë rast”, ka thënë ai.
Sa i përket propozimit që të merret mendim nga Gjykata Supreme për gjykim në mungesë, Koci ka deklaruar se presin që Supremja të jap një mendim pozitiv, por pavarësisht çfarëdo vendimi do ta respektojnë.
Gjykata Supreme pritet të vendosë nëse për 42 serbët e akuzuar që janë në arrati për Banjskën, mund të ketë gjykim në mungesë. Këtë e ka bërë të ditur gjyqtari i rastit, Arben Hoti. Sipas tij, ka interpretime të ndryshme ligjore për këtë temë, dhe Supremja duhet të marrë vendimin.
Ndërkohë, është shtyrë për 9 tetor seanca fillestare ndaj tre të akuzuarve të arrestuar për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit një vit më parë. Shtyrja u vendos pasi avokatët e të akuzuarve Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq kërkuan më shumë kohë për të lexuar shkresën e lëndës dhe provat e Prokurorisë./rtk