Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, për deklaratën e tij mbi mundësinë e heqjes vullnetare të shtesave prej 100 eurove të fundvitit.
Me anë të një postimi në Facebook, Bajrami ka pyetur Muratin nëse qytetarët kanë mundësinë të mos paguajnë faturat e rrymës për shkak të reduktimeve, dhe nëse ata mund të shmangin pagesën e TVSH-së së lartë për shkak të rritjes së çmimeve.
Bajrami i ka kujtuar Muratit se buxheti i shtetit nuk është personal, dhe se ai thjesht ka mbledhur tatime për të përmirësuar jetesën e qytetarëve, por sipas saj, ka dështuar në këtë drejtim.
“Qytetarëve, të cilët në këto ditë të ftohta s’po kanë rrymë nga 8 orë, Hekurani sot ju paska dhënë një mundësi: ai paska thënë: ”nëse nuk i doni 100 euro, mos i merrni”, dhe po ju tregon mënyrën se si mund t’i refuzojnë ato.
Dy pyetje për Hekuran Muratin:
1. A e kanë mundësinë qytetarët mos me i pagu faturat e rrymës, pasi që në këto ditë të ftohta po përballen me nga 8 orë reduktime? Dhe
2. A e kanë pasur qytetarët mundësinë mos me paguar 50% më shumë TVSH si rezultat i ngritjes enorme të çmimeve”, ka pyetur ajo.