Shqipëria e kaloi me sukses edhe “testin” e fundit para fillimit të Euro 2024. Kuqezinjtë mposhtën me rezultat 3-1 Azerbajxhanin, në miqësoren e cila u zhvillua në Hungari.
Një prej lojtarëve më të spikatur në këtë takim ishte Nedim Bajrami, i cili shënoi golin e parë të kësaj sfide si dhe asistoi tek goli i tretë i shënuar nga Qazim Laçi.
“Këtu në kombëtare, jemi të gjithë të motivuar, çdokush do të japë maksimumin. Goditjet nga jashtë zonës i provojmë gjithmonë. Edhe Asani ndeshjen e kaluar dhuroi një supergol. Duhet të vazhdojmë kështu”.
“Me Brojën kuptohemi shumë mirë, jo vetëm në fushë, por edhe jashtë. Jemi të gjithë djemtë gati, e di trajneri kush do të fillojë”.
“Në këto 2 ndeshje jemi ndjerë shumë mirë. Kundërshtarët i kemi shumë të vështirë. Duhet të japim maksimumin”, është shprehur Bajrami.
Shqipëria ndeshjen e parë në Euro 2024 do ta luajë më datë 15 qershor ndaj Italisë me fillim nga ora 21:00.