“Shpallja e një territori nën okupim, nënkupton njohjen e kapitullimit, por në aspektin politik, nënkupton se Serbia ka hequr dorë nga të gjitha marrëveshjet dhe aktet ndërkombëtare, përfshirë edhe rezolutën e OKB-së për Kosovën. Në aspektin juridiko-politik, nuk prodhon efekte, por mund të ndez mitet nacionaliste dhe emocione sikur të tipit të pamfleteve të sotme të shpërndara në komunat veriore të Kosovës, të cilat përçojnë pamje të krizës”, thotë avokati Skënder Musa, i bindur se qëllimi i Serbisë është destabilizimi i Kosovës.
Tutje, duke folur rreth dinamikës politike me rreziqe të theksuara ultimative nga presidenti i Serbisë Vuçiq, avokati Musa ka thënë se deklaratat e Vuçiqit, duhen shikuar në prizmin e konsumit të brendshëm politik ndaj elektoratit të tij, që më shumë peshon në Veri të Kosovës se në Serbi.
“Është e dukshme ofensiva politike në Serbi e Rusi kundër Kosovës, por kjo politikë është e pa fuqishme të prek në juridiksionin e sovranitetit të Republikës së Kosovës. Në këtë rast nuk është me rëndësi çka flitet në zyrat e Vuçiqit, por cka po ndodh në terren, e terreni i Kosovës sigurohet nga NATO me rezolutë të KS të OKB-së. Nëse Vuçiq shpall nën okupim Kosvën, kjo është vetëvrasje e tij politike”, ka spikatur avokati i mirënjohur Skënder Musa.
Pamfletet e shpërndara në komunat veriore të Kosovës kanë dalë në mbrojtje të krye terroristit Milan Radoiçiq, duke shprehur qëndrimin se për Banjskën, të gjithë serbët janë si Milan Radoiçiq.
Këto pamflete kanë rrjedhur pas ofensivës politike të presidentit serb Vuçiq se do ta shpall një pjesë territori të Serbisë nën okupim.
Ngritja e Aktakuzës ndaj 45 terroristëve serbë të Banjskës, pritet të ketë pasoja politike dhe juridike në proceset integruese te Serbisë.
Zëdhënësi i BE-së Peter Stano pas aktakuzës për Grupin e Banjskës, ka marrë kritika të ashpra nga Qeveria e Serbisë, ashtu sikur edhe emisari i BE-së Mirosllav Lajçak i cili pas takimit me Vuçiqin në Beograd është ndarë në marrëdhënie të ftohura, për faktin se Vuçiq e ka qortuar Lajçakun pse nuk i ka tërhequr vërejtjen Prishtinës për dhunë policore në veri, gjatë vizitës së fundit në Kosovë para pak ditësh.
Pas aktakuzës për grupin e Banjskës, kanë ndodhur dhe janë në proces të ndodhin shumë lëvizje politike shtetërore në Serbi, që kanë paralajmëruar kumtesa për gjendjen në Kosovë, por avokatë të njohur në Serbi kanë paralajmëruar se çfarëdo digresioni i Vuçiqit ndaj Kosovës për çështje okupimi, është orvatje për konsum të brendshëm dhe votuesit e tij në veri të Kosovës.
Mediet në Beograd sot kanë reaguar me qortime të ashpra për presidentin Vuçiq duke tërhequr vërejtjen se ai nuk guxon të shpall Kosovën nën okupim, pasi që nga ardhja e tij në pushtet më 2013, zhvillon bisedime me Kosovën në Bruksel në SHBA, në Ohër dhe sipas shtypit serb, ai çdo veprim të Serbisë e çon kah pavarësia e Kosovës.
“Vuçiq, e bën këtë që nga nënshkrimi i marrëveshjes së Brukselit deri më sot. Të gjitha takimet bilaterale që kanë ardhur në Serbi kanë shkuar në drejtim të përforcimit të këtyre marrëveshjeve dhe ky është vetëm në mburrje të kotë për këto përmbushje”, ka thënë avokati Ivan Niniq.
“Ai tutje ka thënë se nga momenti kur gjyqtarët serbë, kanë dhënë betimin para Kushtetutës së Kosovës, shteti i Serbisë është fshirë”, thotë Niniq, i bindur se siç ai ka marr vesh, presidenti i Serbisë Vuçiq, nuk do ta shpall Kosovën nën okupim.
Njohësit politikë në Serbi paralajmërimin e presidentit Vuçiq për shpallje të Kosovës nën okupim e konsiderojnë si “rast për performancë konferencash të shtypit, ose në mbledhje të Kuvendit, por shpallja e Kosovës nën okupim, bart shumë rreziqe për Vuçiqin”.
Sipas avkokatit Niniq shpallja nën okupim e një territori të Serbisë siç ka paralajmëruar Vuçiq është propagandë demagogjike, sepse ai me këtë vendim shkel Marrëveshjen e Vashingtonit, marrëveshjen e planit Franko-Gjerman, planin e marrëveshjes së Brukselit dhe marrëveshjen e Ohrit, e këtë nuk guxon ta bëjë.
Vuçiq sipas avokatit Niniq, ka katër marrëveshje të cilat nuk ka guxim t’i shkel e as t’i anulojë, sepse kështu do ta vuloste vdekjen e karrierës së tij politike.
Ai mund të shpërndajë pamflete për konsum të votuesve të tij dhe të eksportojë emocione te serbët në veri të Kosovës, mund të tërheqë brenda Serbisë edhe në publik deklarata si poteza për kohë të shkurtër, por çfarëdo veprimi që merr Vuçiq, nuk çon peshë në marrëdhëniet e të drejtës ndërkombëtare.
Nëse Vuçiq shpall Kosovën nën okupim, i shpall luftë NATO-s
Eksperti politik dhe i sigurisë profesori universitar Blerim Burjani lidhur me paralajmërimin e Vuçiqit ka thënë se e tërë kjo propagandë e tij po ndodh për formimin e asociacionit.
“Vuçiq i ka futur serbët e veriut në rrugë pa kokë dhe tani për të dalë nga situata, po bën presione te bashkësia ndërkombëtare për formimin e asociacionit të komunave serbe dhe kjo është e tëra.
Po ta shpall Kosovën të okupuar duhet t’i shpall luftë NATO-s, pra nëse ndodh mund të kuptohet si shpallje lufte, ose vetëm notë proteste për mos respektim të Rezolutës 1244, pra kjo nuk duket të jetë serioze. Serbia qindra herë deri më tani e ka shpallur politikisht te okupuar Kosovën, por kjo nuk e ndryshon gjendjen në terren ku e ka kontrollin NATO”, ka thënë Blerim Burjani ./Telegram News