“Institucionet e Kosovës kanë dështuar në parandalimin e sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit”. Kështu deklaroi avokati Skënder Musa lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit.
Avokati Musa tha se në çdo vend të Kosovës nëse kryhet një vepër penale janë një numër i konsiderueshëm i kamerave ndërsa tek Liqeni nuk ka.
“Kjo është një vepër penale që e rrezikon sigurinë kombëtare të vendit tonë dhe kanë dështu institucionet me parandalu. Nuk mund të arsyetohet as Qeveria, as Ministria e Punëve të Brendshme, as Prokuroria Speciale dhe as Prokuroria e Policia e Mitrovicës. Është mirë që dëmi dhe pasoja po llogaritet. Sulme terrorise ka në çdo vend mirëpo po flasim për një territor të vogël me një numër të konsiderueshëm të Policisë që është vendosur atje, nëse kryhet një vepër penale në një fshat të Vushtrrisë apo kudo i kemi 30 kamera dhe te Liqeni asnjë kamerë”, tha avokati në emisionin “Politiko”.
Ndërkaq për këtë sulm në kanalin e Ibër-Lepencit avokati tha se është organizuar me pëlqimin e Serbisë.