Tashmë ekziston në Kosovë bindje e pjesshme se Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka pastruar veriun e vendit, duke qëruar hesapet me shkelësit e rendit publik dhe “zbutjen” e ndjenjës së egër ndëretnike.
Kryeministri i vendit Albin Kurti, përdor kartën e veriut për fushatë paraelektorale pasi, veriu është i vetmi teren ku Kurti përpiqet ta ngrit një narracion dhe legjendë se si ai është i pari që po e thyen ajsbergun veriorë të Kosovës, duke ia bërë një përmendore suksesi me të cilën mund të garojë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Pse?
Veriu i vendit ka qenë vazhdimisht nën praninë e rritjes policore si një imazh i dukshëm, por përveç shtimit të forcave policore atje, është rritur edhe kapaciteti ushtarak i KFOR-it në numër e armatim të rëndë.
Kurti ka synuar dhe synon kontrollin e veriut përmes forcës policore dhe jo përmes integrimit i cili mund të arrihet duke rritur kapacitetin e zgjuar politik me dialog vendor brenda Kosovës dhe në marrëdhënie ndërkombëtare përmes dialogut me Serbinë, të menaxhuar nga SHBA dhe BE.
Përkundër rritjes policore në veri nga Kurti dhe përkundër rritjes së KFOR-it, në veri të vendit janë shfaqur fizikisht dy aksione terroriste:
Aksioni terrorist i Banjskës më 24 shtator 2023 dhe aksioni diversant -terrorist mbi kanalin e hidrosistemit Ibër-lepenci më 29 nëntor në Varragë të Zubin Potokut.
Në mes këtyre dy kohëve që kanë distancë 14 muaj e pesë ditë mes vetes, në veri të vendit janë shfaqur dy organizata:
“Brigada e Veriut” (Severna Brigada) dhe “Mbrojtja Territoriale” (Civilna Zastita”.
Që të dyja kanë dalë publikisht në opinion dhe shteti i Republikës së Kosovës e ka të qartë se ato dy organizata drejtohen nga Serbia, por Beogradi zyrtar ka operuar kujdesshëm duke i strukturuar ato me serbë veriorë, nën ekspertë ushtarako-policorë nga Serbia.
Kur dhe pse doli në skenë “Brigada e Veriut”, sipas shënimeve “Sllobodna Evropa”(Evropa e Lirë)?
“Mbrojtja civile” dhe Brigada e veriut”, sipas pushtetit kosovar, qëndrojnë pas sulmeve në veriun e Kosovës dhe mund të shpallen organizata terroriste.
“Këtë mundësi e paralajmëroi ministri i punëve të brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla, një ditë pasi 100 metra nga objekti i komunës së Zveçanit në veri të Kosovës. Në automobilin me targa të Beoradit, u gjet arsenali me armë dhe jelek antiplumb, çanta dhe maska .
Në mesin e municionit u gjetën logo ngjitëse me shenjën “Brigada e veriut”.
Sipas Sveçlës, këto dy organizata duhej të shpalleshin terroriste në mënyrë që organet e pushtetit të luftojnë më lehtë kundër tyre.
Qeveria Kurti kishte akuzuar Beogradin për destabilizim të Kosovës, ndërsa Beogradi zyrtar nga ana tjetër, ka akzuar Prishtinën se automjeti që u gjet me armatim, ishte po ai që ishte gjetur në aksionet e mëhershme.
Ehat Miftaraj nga Institudi i Kosovës për Drejtësi (IKD) kishte thënë se Kosova mund t’i shpallë terroriste “Mbrojtjen civile” dhe Brigadën e veriut”, nëse kanë fakte se po zbatojnë aktivitete me qëllim rrënimi kushtetues dhe të rendit .
“Këto vendime duhet të jenë të bazuara, mirë të arsyetuara me fakte. Në çdo rast, kur një organizatë shpallet terroriste, atëherë vetëm ndërhyrja në to është vepër penale dhe secili që është pjesë e këtyre organizatave duhet të përballet me ligjin”, kishte thënë Miftaraj.
Çka është “Mbrojtja civile” dhe kur ka funksionuar në veri?
“Mbrojtja civile” në veri të Kosovës ka funksionuar nga viti 2006 deri më 2015-2016, kur sipas shënimeve zyrtare është rasformuar mbi bazën e dialogur Kosovë-Serbi.
Pas rasformimit të “Mbrojtjes civile”, anëtarët e saj janë integruar në institucionet e Kosovës.
“Mbrojtja civile”, në Serbi, funksionon brenda Ministrisë së punëve të brendshme dhe roli i saj është të reagojë në situata të jashtëzakonshme, siç janë vërshimet, tërmetet dhe ngjashëm.
Por, sipas të dhënave të Qendrës kosovare për studime të sigurisë “Mbrojtjen civile “ në Kosovë e kanë përbërë përfaqësuesit e dresuar në armatë që konsideroheshin shumë të rrezikshëm për sigurinë e Kosovës.
Në fillim kjo organizatë kishte 500 anëtarë, por ky numër pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008, gjatë viteve 2012 dhe 2014 është rritur në 750.
Në ndërkohë Kosova ka dëshmuar se sipas të dhënave faktike, ”Mbrojtja civile”, ekziston akoma dhe ajo nuk është shuar.
Sipas statistikave integruese të ish-strukturës së kësaj organizate del se edhe “Rojat e urës”, kanë qenë në shërbim të saj dhe disa pjesëtarë të saj edhe që ishin integruar në Policinë e Kosovës, struktura te ura e Ibrit ka keqtrajtuar shqiptarët me vite.
Shefi i Policisë së Kosovës Xhelal Sveçla sulmin e orkestruar mbi ushtarët e NATO-s në kuadër të KFOR-it e kishte ndërlidhur me organizatën “Mbrojtja civile” dhe mu për këtë ishte arrestuar lideri i saj në Kosovë Milenkoviç -Lune.
Më pas, kjo organizatë ka dalë publikisht për herë të parë në Mitrovicën veriore më vitin 2011 dhe zakonisht kanë patrulluar rrugët e Mitrovicës veriore në uniforma të errëta (të zeza) mbi të cilat ka shkruar “Civilna Zastita”, (Mbrojta civile).
Aktivitetet e mëhershme të brigadës dhe grafitet: “Mos u frikësoni!Jemi këtu! Po presim!”
Këto janë grafitet të cilat janë shfaqur në mesin e gushtit të vitit 2022 në komunat veriore të Kosovës që i ka shkruar “Brigada e veriut”.
Lidhja e Vuçiqit me këto organizata kriminale u dëshmua më 22 gusht kur presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq në një konferencë për media e përmirësoi gazetaren e N1 duke i thënë se këto grafitë nuk janë nënshkruar nga “Brigada e veriut”, por nga “Brigada veri”.
Vuçiq me atë rast zbuloi: ”Unë jam njeri preciz, brigada është e simpatizantëve të Zvezdës”.
Realisht kjo brigadë doli me grafitë të reja në veri në rezistencë të pushtetit të Kosovës duke u nënshkruar me “Brigada veri” dhe kjo brigadë po rritet dita-ditës dhe nuk dihet se kush qëndron pas saj, e as nëse bëhet fjalë për një organizëm të ri.
Historiku i dy organizatave kriminale serbe në veri të Kosovës, është rritur ndjeshëm nga viti 2023 e deri më sot dhe paralajmërimet se “ky është vetëm fillimi”, qartëson gjendjen e rrezikut në të ardhmen e veriut të vendit .
Avokati Skënder Musa në kanalin 10: Në veri të Kosovës kemi pasoja dhe nuk mund të flitet për përmirësim të gjendjes së sigurisë.
Avokati Skënder Musa, e ka përshkuar Qeverinë Kurti si të mbetur pa busollë në mjegullën e detit duke i numëruar dështimet qeveritare në çdo segment të jetës.
Avokati i mirënjohur Skënder Musa në emisionin “Politiko”, në kanalin 10, ka demaskuar me fakte se pohimet e qeverisë dhe eksponentëve të saj se në veri të vendit është rritur siguria qytetare.
“Në veri të Kosovës kemi pasoja dhe këto pasoja janë pikërisht nga qeverisja e dështuar Kurti.Kemi më shumë policë, kemi më shumë ushtarë të KFOR-it dhe kemi atje dështime të cilat paraqesin rreziqe te sigurisë që vinë nga Serbia e këtu duhet pyetur ku është shteti dhe si ka mundësi me hy Serbia në Kosovë me këso aksione terroriste në infrastrukturën më jetike të Kosovës, pasojat e të cilës janë të pamatshme”, ka thënë Musa për të shtuar:
“Janë afruar zgjedhjet tash dhe është shumë e vërtetë, që në aspektin ekonomik dhe politik Qeveria e Kosovës ka dështuar në të gjitha sferat e jetës. Nuk i ka përmbushur premtimet e dhëna dhe në bazë të asaj se çka po e lexoj, deri tash është një investim për rrugën Mitrovicëe që ka mbërri deri në Navosellë të Maxhunit edhe rruga në Podujevë, asnjërën se ka përfunduar e pasi situata nuk është përmisuar e kemi dëgjuar të gjithë, në arsim ka dështim, në shëndetësi, zhvillim ekonomik nuk ka asnjë investim dhe tash duhet me u marr me nacionalizëm, qëllimi është veç me u nxjerr”, deklaroi ai.
Blerim Burjani: Kurti dhe Sveçla kanë shpallur njëanshëm terroriste organizatën “Brigada Veriore” dhe nuk e kanë mbështetjen ndërkombëtar.
Profesori universitar dhe analisti Blerim Burjani ka thënë për gazetën Telegram News se gjendja në veri të vendit është e keqe dhe e pas sigurte edhe pas shpalljes së organizatës “Brigada e Veriut”, si terroriste nga Kurti e Sveçla , të cilët nuk e kishin mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare prë një shpallje të tillë.
“Po e ka shpalle vetëm qeveria aktuale Sveqla me Kurtin, MPB ka propozuar, Kurti e ka miratuar si procedurë. Me sa dihet, Kurti e ka bërë vetë kërkesën publike edhe për serbët lojalë edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Në atë kohë kishte reagime ndërkombëtare për shpallje të njëanshme terroriste për “Brigadën e veriut”
Pra, Kurti nuk kishte bashkëpunuar me faktorët relevantë ndërkombetarë për të marrë në koordinim një vendim të tillë dhe sot e kemi deklaratën e faktorit ndërkombëtar se Kosova mund të ishte në Nato nëse politikisht nuk është kjo që është de fakto, pra e kanë fjalën edhe për moskoordinimin e Kurtit edhe për faktin se nuk e njohin Kosovën katër shtet e BE-së që janë në NATO”, thotë Burjani.
Analisti Rrahman Paçarizi: Veriu nuk është pastruar nga badat.
“Veriu nuk është pastruar nga bandat, ekziston ‘Mbrojtja Civile’. Është organizim, sikurse mbrojtje territoriale. Nuk mund t’i shohësh që po funksionojnë, por janë funksionale. Kanë kontrata me Serbinë të gjithë policët, të gjithë zjarrfikësit, të gjithë ushtarët që e kanë lëshuar punën”, deklaroi Paçarizi mbrëmënë Klan Kosova.
Ai tutje tha se veriu s’ka nevojë të çlirohet, por të integrohet, gjë që sipas tij s’ka ndodhur.
“Ka pasur një eufori të qeverisë Kurti, që e kemi çliruar veriun etj. Ato janë deklarata për efekte të politike të brendshme. Ne e dimë që veriu s’ka nevojë të çlirohet por të integrohet, integrimi nuk ka ndodhur”, ka thënë Paçarizi.
Dr. Fitim Selimi ish-veprimtar politik dhe institucional në politikën e Kosovës: Dikush duhet të përgjigjet për këto akte në veri
“Dikush duhet dhënë përgjegjësi pas mburrjeve të vazhdueshme të qeveritareve për shtrirje të sovranitetit në veriun e vendit dhe pas zhvillimeve goditëse vitale në këtë terren “të kontrolluar”, vërtetë është momenti që njeriu ynë të përjetoj një qasje serioze dhe normale të përgjegjësve në raport me këto zhvillime”, ka thënë dr. Fitim Selimi për telegram News dhe shton:
“ A ka në këtë vend dikush që ngritet e thërret, a bërtet fortë, për atë qe po ndodhë përditë, duke kërkuar llogari nga përgjegjësit? Durohet e kuptohet mosdija, kuptohet pafuqia, kuptohet inkompetenca, kuptohet tutela e imponimi, duke i emërtuar e prezantuar si të tilla, por nuk mund të durohet e as të kuptohet megalomania dhe marrja e zotimeve faktorizuese në terrenin e dështimeve të vazhdueshme, deri në dezintegrim të plotë të substancës shtet, pa kurrfarë llogaridhënie! O njerëz a jeni duke parë çka po ndodhë me pritjet tuaja, me pritjet e atyre që varën shpresën në të përzgjedhurit e tyre! Nëpër këtë zhvillim të kushtueshëm për funksionalitetin e shtetit, nuk mund të kalohet pa llogaridhënie të të gjithë atyre që janë përgjegjës për sigurinë e terreneve përkatëse.
Është një rrezik i madh nga përdorimi i keq i pushtetit. Albin Kurti i ndodhur në rrethanë të pafuqisë dhe mungesës së argumentit për ta nxjerr efikase qeverisjen e tij, është në gjendje të evitoj situatën e shpërfaqjes së këtij realiteti që do të demantonte pretendimin për “gjithëdijshmërinë” e tij, duke krijuar rrethana deri edhe tragjike për vendin! Deliriantet e madhështisë ose do të shfaqnin prirjet suicidale, kur përballen me realitetin objektiv, ose do të krijonin një “Deus ex machina” për t’i shpëtuar vlerësimit dhe epilogut të dështimit. Cilido nga këto përfundime nuk do t’i sillte të mira vendit. Edhe ndërkoha deri në datën e zgjedhjeve është shumë e gjatë;.Kosova do ndryshim urgjent. Albin Kurti nuk është ddasht me i ndodh këtij vendi./Telegram News