Padyshim se përballja me sëmundjen e rëndë të kancerit, është një prej sfidave më të mëdha që s’ka lënë pa prekur thuajse çdo familje në Kosovë.
Nga viti në vit madje është vërejtur një rritje e numrit të rasteve të prekur nga kanceri.
E sipas të dhënave të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), numri i rasteve të reja me kancer është rritur në vitin 2023, krahasuar me vitin paraprak.
Në vitin 2023 ishin regjistruar mbi 1 mijë raste të reja me kancer, më shumë se sa një vit më parë.
Sipas ASK-së, në vitin 2022 ishin gjithsej 3 mijë e 110 raste të reja të të prekurve me kancer, kurse në vitin 2023 ishin 4 mijë e 165 raste të reja me kancer.
Nga të gjitha këto raste, 2 mijë e 85 të rasteve janë femra dhe 2 mijë e 80 janë meshkuj.
“Nëse shikohet në përgjithësi niveli i vizitave në Institucionet shëndetësore, e kryesisht atyre parandaluese është rritur, nëse shikojmë numrin e të gjitha vizitave në të gjitha nivelet e vizitave qofshin ato në shëndetin primar, sekundar apo edhe në atë terciar. Tek të prekurit me kancer vërehet një rritje e ndjeshme nga viti 2022 ku kishte 3110 raste të reja të prekura nga kanceri derisa në vitin 2023 kemi 4165 raste të reja”, thuhet në raportin e ASK-së.