Asamblisti i Kuvendit Komunal të Drenasit, Selman Qallapeku, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha funksionet e tij në partinë politike Lëvizjen Vetëvendosje.
Ai me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka radhitur arsyet e largimit nga kjo degë. Sipas tij, në këtë degë s’vlerësohet aktiviteti, ka “papërgjegjësi totale” nga kryetarja e degës ndër të tjera.
“Egzona Terdevci, si kryetare e Degës, ishte në dijeni se asambleisti D. Halilaj është punësuar në Ministrinë e Mbrojtjes, gjë që e bën të pamundur mbajtjen njëkohësisht të postit në Ministri dhe të postit të asambleistit. Duke e ditur që isha i radhës për të marrë atë detyrë, të cilën e fitova përmes votave të qytetarëve, për një kohë më mohuan të ushtroj këtë funksion pa dhënë llogari, deri sa u konfirmua nga institucionet përkatëse”, thuhet ndër të tjera në postimin e tij.
Postimi i plotë:
Të nderuar miq, shokë, bashkëvendës, dhe përkrahës të rrugëtimit tim politik, përmes këtij shkrimi ju njoftoj se jap dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha funksionet e mia në Lëvizjen Vetëvendosje. Së bashku me mua, kanë dhënë dorëheqje edhe dhjetëra anëtarë, simpatizantë dhe aktivistë të Lëvizjes. Në këtë mënyrë pothuajse shuhet nëndega në Terstenikë këtë e them me bindje të plotë si ish-kryetar i saj.
Dorëheqja ime është e mirë menduar dhe vjen pas një konsultimi të gjerë me përkrahësit dhe bashkëpunëtorët që më kanë mbështetur gjithnjë.
Arsyet e largimit tim nga Dega e Lëvizjes Vetëvendosje janë:
1. Instalimi i një dukurie negative në degë, ku nuk vlerësohet puna, aktiviteti dhe përkushtimi.
2. Papërgjegjësia totale e kryetares së Degës, znj. Egzona Terdevci, e cila erdhi në krye të Degës përmes një zarfi nga qendra, duke mos respektuar statutin, normat dhe rregulloret e Lëvizjes.
3. Punësimet në institucione publike dhe emërimet politike pa meritë.
4. Shuarja e aktivitetit në degë, mungesa e trajtimit të aktivistëve dhe humbja e rreth 70% të anëtarësisë.
5. Egzona Terdevci, si kryetare e Degës, ishte në dijeni se asambleisti D. Halilaj është punësuar në Ministrinë e Mbrojtjes, gjë që e bën të pamundur mbajtjen njëkohësisht të postit në Ministri dhe të postit të asambleistit. Duke e ditur që isha i radhës për të marrë atë detyrë, të cilën e fitova përmes votave të qytetarëve, për një kohë më mohuan të ushtroj këtë funksion pa dhënë llogari, deri sa u konfirmua nga institucionet përkatëse.
Këto janë disa nga arsyet që e pamundësojnë qëndrimin tim në Lëvizjen Vetëvendosje. Por, mbi të gjitha, preokupimi im kryesor mbetet pyetja se pse ju pengonte prania ime në Kuvendin Komunal, kur dihej që isha një nga kandidatët më të votuar në listën për asamble.
Lëvizja Vetëvendosje duhet të dijë se shkaku kyç i dorëheqjes sime është Egzona Terdevci, një aventuriere politike, e cila erdhi rishtazi në Vetëvendosje përmes iniciativës së Xhavit Drenorit, pasi ai ishte “mësuesi” i saj politik. Egzona Terdevci madje ishte kandidate për asamble nga lista e tij në vitin 2017. Tani çfarë ka ndodhur? Ajo vetëm ka ndërruar mësuesin, dhe mësuesi i saj i ri dihet kush është. Kështu që Egzona duhet të mbajë përgjegjësi për gjendjen në të cilën e ka sjellë degën.