Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka kryer dy aksione për mashtrim dhe shantazh përmes sistemeve kompjuterike.
Gjatë kontrolleve, janë sekuestruar një veturë, dëshmi të transaksioneve, dy telefona, dy revole, tetë copë municion dhe një maskë.
Po ashtu, janë arrestuar dy persona të dyshuar.
Njoftimi i plotë:
Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në bashkërendim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse, ka realizuar një aksion në dy lokacione në Pejë dhe Klinë, ku ky aksion është zhvilluar pas hetimeve disa mujore me dyshimin se persona të dyshuar janë duke kryer veprat penale të mashtrimit dhe shantazhit përmes sistemeve kompjuterike (internetit).
Në këtë operacion policor janë kontrolluar dy lokacione si dhe janë arrestuar dy persona të dyshuar (një mashkull dhe një femër) shtetas kosovarë, po ashtu në cilësi të provave materiale janë sekuestruar gjësendet si në vijim:
– Një veturë;
– Dëshmi të transaksioneve nga unionet financiare;
– Dy telefona mobil;
– Dy revole;
– Tetë copë municion;
– Një maskë.
I dyshuari kryesor në këtë rast ka përdorur rrjetet sociale duke përdorur emër dhe fotografi personale të rrejshme, me qëllim të zhvatjes financiare i dyshuari ka arritur të mashtroj viktimën e cila i ka dërguar atij para përmes unioneve financiare.
Të dyshuarit me veprimet e tyre kanë vënë në lajthim dhe kanë mashtruar viktimën duke i shkaktuar dëm me vlerë mbi 80 mijë dollarë amerikanë.
Lidhur me rastin pas marrjes në pyetje, dy të dyshuarit me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dërgohen në mbajtje prej 48 orësh.