Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka premtuar ndërtimin e një Gaming Hall me 2000 ulëse si pjesë e Qendrës Kombëtare të Sportit, një projekt që ai synon të realizojë gjatë mandatit të parë qeverisës.
“GAMING HALL për Gamers! 8 milionë euro investim”, tha Abdixhiku.
Gjatë një vizite në Kubix Gaming Center në Prishtinë, Abdixhiku u takua me komunitetin e ‘gamerave’ dhe diskutoi për nevojën e një ekosistemi të mirëfilltë për lojërat elektronike në Kosovë.
Ai tha se suksesi ndërkombëtar i ekipit Bad News Eagles në turnetë e lojës Counter-Strike ka dëshmuar se të rinjtë kosovarë kanë potencial të madh, por u mungon mbështetja shtetërore.
“Vizitë e këndshme sot me komunitetin e ‘gamerave’ të Kubix Gaming Center në Prishtinë. 🎮 Dust 2 ishte ende aktiv. Paketasha kishte ende. Por, refleksat e këtyre djemve kishin ndryshuar. Nuk po të falshin! Nuk ka kaluar shumë kohë prej kur ekipi Bad News Eagles u bë i njohur botërisht me suksesin e madh në turnetë ndërkombëtar të lojës së njohur kompjuterike Counter Strike, dhe i madh e i vogël në Kosovë u njohën me këtë lojë përmes përfaqësimit të denjë që ky ekip i bëri vendit. Në fakt, u ndjemë krenar, njësoj si ndjehemi kur përfaqësuesit tanë sportiv korrin suksese në paraqitjet ndërkombëtare të Kosovës.” – shtoi ai.