Qeveria e Kosovës do të mblidhet nesër, me fillim nga ora 09:30. Në rend dite janë 16 pika.
Në mesin e kërkesave që do të shqyrtohen në këtë mbledhje është edhe ajo e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për ndarjen e mjeteve buxhetore për ndihmat humanitare në Gaza.
Të tjerat pika kanë të bëjnë me vendimet për shpronësime të pronave që preken nga realizimi i projekteve si Zgjerimi i Rrugës Nacionale N9 Kijevë Zahaq, segmenti Dollc Ramun, Zgjerimi i Rrugës Nacionale N2 Segmenti “Hyrja në Qytetin e Ferizajt”, ndërtimi i rrugës rajonale R-118 Mushtisht-Shtërpcë dhe zgjerimi i rrugës nacionale N25, Segmenti QMI-Lipjan.
Do të shqyrtohen edhe kërkesat për pagesë të 224 specializantëve me vetëfinancim dhe kërkesa për 20 specializantë me vetëfinancim nga Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi.
Në këtë mbledhje do të shqyrtohet edhe propozimi për dhënien në shfrytëzim të pronave të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, për nevoja të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe propozimi për themelimin e Këshillit Organizativ për shënim të 17 shkurtit- Ditës së Pavarësisë.