Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka përcjellur nga afër projektin infrastrukturor në Velani të Prishtinës, për të cilin tha se duket projekt i thjeshtë por që në thelb bën ndryshime të mëdha.
Abdixhiku në Facebook shpërndau edhe disa fotografi nga vizita e tij te punimet, derisa tha se do të ketë transformim rrënjësor jo vetëm për banorët e Velanisë, por për secilin qytetar që ka kaluar andej.
“Sot, vizitova punimet që po zhvillohen aty. Dinamizëm i madh. Entuziazëm mes banorëve. Rrugë e re, dy kahore, me trotuare e ndriçim. Transformim rrënjësor jo vetëm për banorët e Velanisë, por për secilin qytetar që ka kaluar andej. Banorët më thanë se ende nuk po e besojnë se kjo po ndodhte. Për ta, kjo ishte një ide sa e bukur aq edhe e pamundur. U thash të rrinë të qetë. Krenarin e kisha këshilltar në Ministri. Ishte i përpiktë, punëtor i pashoq, por mbi të gjitha ishte njeri i mbarë e i drejtë. Kur je i drejtë dhe puna të shkon mbarë. Atëherë kishim përfunduar rrethrrotullimin e Veternikut për 31 ditë. Krenarit i ka shkuar gjithnjë puna mbarë. Nuk kisha asnjë dyshim që nga dita që mori detyrën e drejtorit të infrastrukturës në Kryeqytet”, tha Abdixhiku.
I pari i LDK-së, theksoi se “më 9 shkurt vonesat infrastrukturore marrin fund edhe në Kosovë! Historia rrugore e Kosovës do të kompletohet brenda një mandati të vetëm. Tjetër tempo, tjetër mendësi, tjetër angazhim”./TelegramNews./