Ndryshe nga paralajmërimet në Kosovë të kryeministrit Albin Kurti se Serbia po përgatitet ta sulmojë Kosovën, Kryeministri ka folur me mburrje në një ligjëratë para studentëve në SHBA, duke thënë se strukturat paralele serbe në territorin e Kosovës, e kanë humbur luftën.
Kurti këto komente i bëri në një ligjëratë në Universitetin Yale të shkollës për çështje Globale, ku tha se serbët nga Kosova janë çliruar nga strukturat kriminale të Serbisë.
Deri më tani Kryeministri Kurti ka fajësuar vazhdimisht Serbinë për organizimin e grupeve paramilitare në Kosovë për ta sfiduar pushtetin aktual të Qeverisë së tij.
Paraqitja e Kurtit para studentëve amerikanë ka qenë mbresëlënëse për nga entuziazmi, duke paraqitur realitetin në Kosovë me një anatomi tjetër ,krahasuar me atë që e thotë vazhdimisht në Kosovë.
“Serbia ka humbur diçka që nuk e kishte të veten dhe kur e humb atë që do ta ketë pasur, mund ta kthejë, por kur e humb atë që nuk e kishte, bëhet e pakthyeshme dhe problem dhe unë besoj se kjo ka ndodhur”, ka thënë Kurti.
Gjendja e sigurisë në Kosovë për shkak të grupeve paramilitare nga Serbia ,nuk ka qenë më e rrezikshme pas lufte
Para dy ditësh në veri ka ndodhur një shpërthim që është cilësuar si më fuqishmi kohët e fundit me ç’rast, janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në vetura dhe në objektet përreth.
Në veriun e Kosovës vazhdimisht digjen veturat dhe shtëpitë nga grupet e strukturave paralele dhe ilegale serbe të cilat e luftojnë praninë institucionale të Republikës së Kosovës.
Siguria në Kosovë është e brishtë dhe NATO është më vigjilente se kurrë në kujdestarinë e gjendjes në Kosovë.
Komanda e Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, “po e monitoron nga afër situatën në Ballkanin Perëndimor, një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën”, thotë KFOR-i.
200 trupa shtesë janë dislokuar më 30 shtator dhe po aq do të dislokohen edhe në Kosovë, krahas forcave të mëdha të NATO-s që janë dërguar në Kosovë në kuadër të KFOR-it, është raporti i bilancit të lëvizjeve ushtarake drejt Kosovës ditët e fundit, që nga sulmi terrorist në Banjskë.
Aktivistja për të drejtat e njeriut në Serbi, Sofija Todoroviq, ka fajsuar sulmin terrorist në Banjskë, duke e akuzuar shtetin serb për organizim të sulmit paramilitar.
Gjithashtu vetë Presidenti i Serbisë Vuçiq ka deklaruar se “Serbia po e pret momentin e vet për t’u kthyer në Kosovë”.
Kjo deklaratë është marrë si shqetësimi më i madh në NATO dhe në SHBA e BE.
Thyerja e bandave serbe në Kosovë nuk ka ndodhur për shkak se ato kanë humbur betejën në Kosovë, por serbët e Kosovës po përjetojnë një konflikt mes vetes brenda strukturës serbe.
Shoqatat e aktivistëve serbë nga Kosova, për të parën herë të hënën kanë koordinuar veprimet me akademinë opozitare në Serbi, duke u distancuar nga Vuçiqi, pasi Kisha Ortodokse Serbe, nuk i pranojë ata t’i shtrojnë kërkesat e tyre për problemin e mbijetesës serbe në Kosovë./Telegram News