Kandidati për kryeministër nga radhët e AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se ish-emisari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ia konfirmoi se Ballkani është portfolio e tij.
Në një intervistë për “Info Magazine” të Klan Kosova, Haradinaj shtoi se Grenellin duhet ta ftojnë në bashkëpunim sa më parë që është e mundur.
“Shqiptarët duhet të kenë kujdes, jo vetëm shqiptarët e Kosovës, në komunikim me administratën e re dhe me zotin Grenell. Ai ma konfirmoi se Ballkani është portfolio e tij, kjo është shumë serioze, diçka që ne nuk duhet me e marr si çështje jo fort me rëndësi. Ne duhet të komunikojmë me zotin Grenell herët, t’ia sqarojmë pikëpamjet tona, qëndrimet tona, të Kosovës, dhe që ta ftojmë atë në bashkëpunim”, tha Haradinaj.