“Albin Kurti po e shndërron në program gjuhën e urrejtjes kundër opozitës, medieve, biznesmenëve dhe kundër prokurorëve, pa e provokuar askush, madje as në kohë fushate. Gjuhën e urrejtjes ai po e shndërron në program, meqë ka hyrë në fushatë pa program”, parasheh rrezikun profesori dhe analisti Milazim Krasniqi.
“Në të kaluarën, si opozitar, ai përdorte gjuhën e urrejtjes dhe dhunën politike, por në sfondin e masave që merreshin nga drejtësia, ai shpesh dukej si viktimë”, ka thënë për Telegram News profesori dhe analisti Milazim Krasniqi dhe shpalos disa dukuri që mund të sjellin rreziqe për vendin në prag të ditës së zgjedhjeve më 9 shkurt”.
“Por, tash po e përdorë gjuhën e urrejtjes, duke qenë pushtetar e nuk mund të trajtohet si viktimë. Përdorimi i gjuhës së urrejtjes si pushtetar, jo vetëm që nuk ia krijon alibinë e viktimës, por paraqet rrezik më të madh për sigurinë në vend. Mbi të gjitha, paraqet rrezik për procesin zgjedhor. Nuk është krejt e qartë pse Kurti po insiston me aq ngulm, që të dëmtohet procesi zgjedhor. Nuk duket se e ka nga frika e humbjes së zgjedhjeve. Mua më duket se e ka një mesazh që po tenton ta përcjellë tek amerikanët, e mesazhi i tij nënkupton: Nëse nuk më lini në pushtet, do ta rikthejë dhunën politike në Kosovë. Ky është mesazhi shantazhues i Kurtit për SHBA-në e NATO-n. Por pas fitores së Trump në SHBA, ky shantazh nuk pi më ujë. Administrata e Trump, nuk shantazhohet. E kundërta mund të ndodhë: Ajo mund ta shtyjë LVV drejt opozitës, që atje të kërkohet llogari prej saj, me anën e drejtësisë, për krimin e korrupsionit qeveritar dhe për rrezikimin që u është bërë ushtarëve të KFOR-it në veri, nga politikat e pakoordinuara me ndërkomëbarët.
E sigurt është që në këto zgjedhje Kurti nuk ka konflikt me opozitën, sepse opozita nuk e ka pranuar ofertën e tij për konflikt. Në këto zgjedhje Kurti ka konfikt (sado që duket i fshehur) me SHBA-në. Ka rrezik që shantazhi i Kurtit ndaj SHBA-së, me rrezikimin e stabilitetit të Kosovës, ka njëfarë ngjashmërie me konfliktin e Berishës me SHBA-në në vitin 1996, gjë që rezultoi me katastrofën e vitit 1997. (Vetëm mos të jetë që dikush nuk ka paralajmëruar për rrezikun që e kërcënon Kosovën, nëse e vazhdon Kurti këtë lojë të rrezikshme.) Një gjë duhet ta kenë të qartë njerëzit normalë në Kosovë: Amerika nuk shantazhohet nga asnjë qeveri në botë. Më së paku nga qeveria e një vendi si Kosova, i cili e gëzon pavarësinë dhe sigurinë falë Amerikës”, ka thënë profesori, analisti Krasniqi dhe njëri nga themeluesit e LDK-së.
Safet Gërxhaliu: Dështimet premtuese, sjellin rrezik shoqëror në luftën për pushtet
“Kultura politike e komunikimit është një aset kombëtar që duhet të përdoret në kampanjë komunikimi dhe në komunikim të përhershëm dhe duhet të bëhet në frymë komunikimi të një fokusi programor siç e bën opozita sot e cila është shembull si të komunikohet në kampanjë zgjedhor. Por, kur jemi te pushteti dhe gjuha e Kurtit, duket se sa më të mëdha janë dështimet e realizuese dhe gabimet nga e kaluara , aq më të mëdha janë zhgënjimet që prodhojnë sulme ndaj bizneseve dhe ndaj të gjithë atyre që nuk janë me te, por ajo që sjell rrezik të lartë shoqëror është ndarja në ne dhe ata dhe kjo luftë makiaveliste për pushtet nuk zgjedh mjete, por besoj që është koha që politikanët të kuptojnë se nuk ja vlen të luftohet për pushtet nëse nuk lufton për shtet, sepse lufta për pushtet sjell rreziqe”, ka pohuar Safet Gërxhaliu për Telegram News.
Albert Krasniqi: Pozicioni i Kosovës nga qeverisja Kurti, tashmë është dobësuar
Albert Krasniqi, hulumtues dhe aktivist i shoqërisë civile në Kosovë dhe Drejtor i programeve në Demokraci Plus dhe i angazhuar në shumë organizata vendore e ndërkombëtare për zhvillim, ka elaboruar disa situata gjatë mandatit të qeverisjes së VV-së, që kanë qenë tepër të rëndësishme dhe të ndjeshme kur është dashur t’i thuhet po Amerikës për ta mbajtur hapin e fitimtarit duke e pasur me vete SHBA-në, por çfarë ka ndodhur në realitet, përgjigjet Albert Krasniqi i cili thotë:
“VV pranoi një fakt: Kosova tashmë është në pozitë të disfavorshme ndaj Serbisë. Kjo pozitë nuk është rezultat i veprimeve të ndonjë presidenti amerikan, por i gabimeve tona.
Kur Zëvendëspresidenti Biden ateroi në Sllatinë për të kërkuar votimin e demarkacionit, për të siguruar që Mali i Zi të anëtarësohej në NATO për arsye strategjike, ne i thamë jo dhe arsyetimi a dini cili ishte: Delet na kishin kullotur në Çakorr!
Kur Sekretari Blinken kërkoi të shtynim vendimin për targat në veri, pasi po përpiqej të shmangte një luftë bërthamore, ne i thamë jo dhe Kurti shkoi edhe më larg, tha se ju jeni naiv.
Kur NATO na kërkoi të mos i vendosnim kryetarët e komunave në ndërtesat komunale për të mos rrezikuar ushtarët e saj, ne i thamë jo pasi jemi shtet sovran.
Kur Presidenti Trump na ftoi në Zyrën Ovale për të nënshkruar një marrëveshje me Serbinë dhe kërkonte njohje të ndërsjellë, ne i thamë jo, pasi jeni president i zgjedhur nga Rusia dhe do të vendosni thika mbi harta.
Tani kur më në fund e kuptojmë se kjo politikë e ndjekur krye më vete dhe pa koordinim me aleatët tanë na ka përplasur për muri, është tepër vonë, dëmi veçse është bërë”, ka thënë Albert Krasniqi. /Telegram News