Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka gjetur kohë edhe në Davos të Zvicrës që të merret me opozitën. Derisa tha se “e ka lënë fushatën” për të marrë pjesë në dy panele diskutimi, ai pretendoi se partitë opozitare duan t’ia ngadalësojnë projektet.
Kurti tha se opozita i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për shumë çështje, duke e konsideruar këtë si “aktivitetin” e vetëm të tyre.
“Këtu, Fondi Sovran është diçka që mezi e presim. Kemi hartuar koncept-dokumentin, e kemi votuar në Qeveri, kemi një ligj që ka kaluar në lexim të dytë, por po e pret dritën e gjelbër në Gjykatën Kushtetuese sepse opozita jonë…aktiviteti kryesor i opozitës në Kosovë është t’i adresohet Gjykatës Kushtetuese, opozita jonë funksionon si gozhdë, si për të vendosur rërë në rrotat tona që çdo gjë të ngadalësohet. Por mendoj se këtë vit do të bëhet Fondi Sovran…” – tha ai, transmeton Nacionale.
Vlen të theksohet se Kurti dhe eksponentë të partisë së tij, Lëvizja Vetëvendosje, në vazhdimësi kanë fajësuar opozitën për dështimin e shumicës prej projekteve të tyre.
Kryeministri ka përsëritur se gjatë mandatit të tij, qytetarët kanë shpenzuar më shumë se sa që kanë kursyer.
Kjo madje sipas tij, ka kontribuar edhe në rritjen e ekonomisë.
“Në anën tjetër, besoj që qytetarët kanë shpenzuar më shumë se sa që kanë kursyer, për shkak të shpresës dhe optimizmit. Kanë konsideruar që e ardhmja është më e mire se e tashmja, e tashmja më e mirë se e kaluara. Kështu, ata shpenzuan jo vetëm se kanë pasur mundësi, por edhe se kanë shpresuar që mjete të reja do të arrijnë dhe do të mund t’i shpenzojnë në të ardhmen. Pra, shpenzon në të tashmen, kur mendon që mund të shpenzosh edhe në të ardhmen.