Reshjet e dendura të borës kanë shkaktuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve në shumë rrugë, gjersa edhe Policia e Kosovës ka bërë apel për kujdes të shtuar në komunikacion.
Vështirësi në qarkullim qytetarët kanë njoftuar për rrugën Prishtinë-Pejë, Prishtinë-Mitrovicë, por edhe në rrugë tjera rajonale dhe lokale.
Por, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi thotë se të gjitha rrugët janë të kalueshme me gjithë reshjet e vazhdueshme.
Ai në një postim në Facebook, madje me sloganin e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhje “cep më cep” thotë se me 19 kontrata aktive janë duke punuar në terren gjatë gjithës kohës.
“Cep më cep Kosovës, me 19 kontrata aktive, jemi duke punuar në teren gjatë gjithë kohës që qarkullimi në rrugë të jetë sa më i lehtë. Të gjitha rrugët janë të kalueshme me gjithë reshjet e vazhdueshme. Ju bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të vozisin me kujdes duke respektuar rregullat dhe duke ju përshtatur kushteve në komunikacion”, shkruan ai.
Edhe nga komuna e Prishtinës kanë dalë me një postim në Facebook pas vështirësive në qarkullim.
Nga Komuna e Prishtinës shkruajnë se të gjitha ekipet përgjegjëse janë angazhuar intensivisht dhe po punojnë pa ndërprerje për të siguruar që rrugët të jenë të kalueshme.
“…Megjithatë, reshjet e dendura të borës që po vazhdojnë pa ndërprerje po e vështirësojnë situatën në terren. Lusim qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, të përdorin mjetet e përshtatshme për kushtet atmosferike dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve kompetente”, thuhet në reagim.