Përfaqësuesja e Lartë për politikë të Jashtme dhe të Sigurisë në Bashkimin Evropian, Kaja Kallas para samitit BE-Ballkani Perëndimor, ka deklaruar se ky rajon i përket familjes evropiane, dhe se shtyrja përpara e kësaj është prioritet i saj personal.
Në një deklarim për gazetarët para fillimit të samitit, ajo ka folur edhe për çështjen e zgjerimit të BE-së, pra për anëtarësimet e reja, duke përmendur Shqipërinë.
Lidhur me këtë, Kallas ka thënë se edhe ajo edhe Komisioni për Zgjerim duan që të shohin avancim në këtë proces gjatë 5 viteve të ardhshme.
‘‘Ballkani Perëndimor i përket familjes evropiane. Shtyrja e kësaj marrëdhënieje është një prioritet personal.
Ballkani Perëndimor është rajon shumë i rëndësishëm për Bashkimin Evropian, ata i takojnë Evropës nga aspekti gjeografik kësisoj është shumë e rëndësishme që ta shtyjmë përpara marrdhënien tonë. Sot do të diskutojmë planin e rritjes, po ashtu sot kemi nënshkruar marrëveshjen për siguri dhe mbrojtje me Shqipërinë, kështu që ka shumë hapësirë për bashkëpunim. Është e qartë që së bashku me Komisionin për zgjerim, dhe unë duam më të vërtetë të shohim avancim në procesin e zgjerimit ( e BE-së) gjatë këtij mandati 5 vjeçar që kemi, kështu që jemi të gatshëm të punojmë për këtë’’, ka thënë ajo mes tjerash.