Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministrin hungarez për Çështjet e BE-së, Janos Boka, me të cilin folën për situatën aktuale politike dhe të sigurisë, forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, procesin e integrimit evropian si dhe stabilitetin rajonal.
E para e shtetit tha se Kosova është shembull pozitiv në rajon, pasi sipas saj, ka bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e sundimit të ligjit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përmirësimin e transparencës dhe promovimin e qeverisjes së mirë.
“Sipas Presidentes Osmani, përkushtimi i Kosovës për integrimin evropian mbetet i fuqishëm, teksa po vazhdohet të punohet në drejtim të përmbushjes së kritereve të anëtarësimit në BE, ndaj kërkoi mbështetje për avancimin e aplikimit të Kosovës për statusin e vendit kandidat për BE”.
“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ritheksoi nevojën e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat përveç se janë të pa drejta, prekin direkt interesin e qytetarëve të Kosovës, pa dallim”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Tutje, në njoftim thuhet se në raport me zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, përkatësisht në veriun e vendit, osmani theksoi përkushtimin e Kosovës për një hetim të plotë dhe profesional të sulmit terrorist ndaj infrastrukturës vitale, i cili kishte për qëllim dëmin direkt në jetën e qytetarëve.
“Presidentja Osmani theksoi nevojën e qëndrimit unik të bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që të shmanget përsëritja e sulmeve të tilla terroriste nga bandat kriminale, të cilat mbështeten, trajnohen dhe financohen nga Serbia”, thuhet në njoftim.