Prokuroria Themelore në Prizren ka shpalosur detaje për rastin ku një person u arrestua nën dyshimin se ka kryer veprat penale “fajde” dhe “organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Në njoftim thuhet se F.Sh. thuhet se është arrestuar në flagrancë të hënë duke pranuar të holla nga viktima A.Z. në emër të kamatave të paligjshme me të cilat e kishte ngarkuar.
“I pandehuri i arrestuar, nga muaji Shtator i vitit 2023 dhe në vazhdimësi, deri në datën e arrestimit, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të personit të dëmtuar, varfërinë dhe papërvojën e tij, në atë mënyrë që pasi i dëmtuari – viktima, A.Z., nuk kishte pasur mundësi t’ia kthejë një borxh në shumën prej 70,000.00 €, të cilin borxh i detyrohej të pandehurit F.Sh., pasi që ky i fundit gjatë muajit Janar të vitit 2024, përmes një programi elektronik të lojërave të fatit, i kishte mundësuar të dëmtuarit të luaj bixhoz të paligjshëm, ashtu që në momentin kur viktima kishte hasur në vështirësi që t’ia paguajë borxhin, i pandehuri arrin ta bindë viktimën që në emrin e tij do të angazhohet dhe t’ia sigurojë paratë, në mënyrë që t’ia krijojë kushtet të njëjtit për kthimin e borxhit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Vlera e tërësishme e kamatës së paligjshëm thuhet se kishte arritur në 81 mijë e 400 euro.
“Në këtë rast i pandehuri i arrestuar, i ofon viktimës para me fajde – me kamata të paligjshme fillimisht prej 15% pastaj 20% e deri në 25%, kështu duke i shkaktuar viktimës dëm të konsiderushëm pasuror, i cili nuk kishte arritur t’ia paguajë shumën e mbetur të kamatës, gjegjësisht totalin e kamatës nga të gjitha huazimet e të hollave me fajde, që nga periudha e muajit Shtator të vitit 2023, e cila kap vlerën e përgjithshme prej 81,400.00 €. I pandehuri ështe arrestuar në flagrance nga ana e Policise së Kosovës duke pranuar të holla nga viktima në emër të kamatave të paligjshme me të cilat e kishte ngarkuar të njëjtin. I pandehuri i arrestuar, gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh, dhe për të njëjtin, prokuroria ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit”, thuhet në njoftim.