Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë është distancuar nga deklarimet e asamblistit të tyre Berat Lahu të bëra gjatë seancës së Kuvendit Komunal.
Ai sipas një video të publikuar në media, teksa diskutonte me Gëzim Sveçla dhe Egzon Azemi, të cilit i kërkonin Lahut, që të lëshojë sallën e të mos lë krijimin e kuorumit për kalimin e buxhetit komunal, reagon duke kërkuar llogari, se pse Vetëvendosja i kishte kaluar një kuorum kuvendit komunal dhe ku e përmend edhe kryeministrin Albin Kurti.
Por në reagimin e LVV-së kanë mohuar përfshirjen e ndonjë zyrtari të kësaj partie, për të cilën ka folur Lahu.
Qendra në Prishtinë jo vetëm që distancohet por edhe demanton secilin pretendim të thënë sot nga asambleisti Berat Lahu në video-incizimin e publikuar në media.
“Jo Kryeministri Kurti, por asnjë zyrtar apo aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në asnjë rrethanë, asnjëherë, nuk ka qenë i përfshirë e as është marrë me çështjen që thekson ky asambleist. E kundërta, falë qendrimeve dhe veprimeve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! është mbrojtur interesi publik”, thuhet nga LVV-ja.
Reagimi i plotë:
Qendra në Prishtinë jo vetëm që distancohet por edhe demanton secilin pretendim të thënë sot nga asambleisti Berat Lahu në video-incizimin e publikuar në media.
I njëjti asambleist duke dashur të arsyetojë veten për thyrjen e vendimit zyrtar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, si dhe të mbulojë implikimet e tij personale të bëra sot me ekzekutivin e Komunës me ç’rast si asamblist i LV-së mundësoi kuorumin, kalimin e buxhetit. Po ashtu në rend dite u tentua që përmes tij të kontrabandohet edhe revidimi i planit rregullues të hollësishëm “Zona Ekonomike” si dhe Plani Zhvillimor Komunal (PZhK) 2024-2032 të Kryetarit Përparim Rama. Prandaj ky asambleist sulmon duke formuluar shpifje të kulluara për Kryeministrin Kurti.
Jo Kryeministri Kurti, por asnjë zyrtar apo aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në asnjë rrethanë, asnjëherë, nuk ka qenë i përfshirë e as është marrë me çështjen që thekson ky asambleist. E kundërta, falë qendrimeve dhe veprimeve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! është mbrojtur interesi publik.
Lëvizja VETËVENDOSJE!- Qendra Prishtinë i kërkon falje opinionit publik për situatën e krijuar sot në Kuvendin Komunal, mirëpo thekson se kjo seancë, ai kontrabandim buxheti, është shoqëruar me pazare të pista duke blerë individualisht asamblistë që thirren në përfaqësim të qytetarëve, ndërkohë që përfunduan në prehrin e oligarkëve që qeverisin realisht me komunën siç është ajo me Devollët dhe pjesëtarë të tjerë të klubit të biznesit.