Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj D.D, për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në trazirat e shkaktuara vitin e kaluar në Zveçan.
Sipas Prokurorisë, i akuzuari kishte marrë pjesë në sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it bashkë me një grup serbësh nga Kosova dhe Serbia.
“Sipas aktakuzës i pandehuri më 29.05.2023, afër objektit të Komunës së Zveçanit, në bashkëveprim dhe koordinim edhe me të pandehurit të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, përmes përdorimit të dhunës, armëve dhe mjeteve tjera të forta, i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, duke u shkaktuar lëndime trupore dhe dëme materiale”, thuhet në komunikatë.
Prokurori Special ka kërkuar nga Gjykata që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim të këtij rasti penal.