Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, pa prezantuar sonte kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës nga Prishtina.
Haradinaj me këtë rast ka thënë se ligji për Kryeqytetin i miratuar në qeverinë e drejtuar nga ai, ka mbetur i mbuluar me pluhur në sirtarët e një qeverie që nuk di të qeverisë.
“Kryeqyteti ynë meriton të shndërrohet në një metropol modern dhe të zhvilluar. Ligji për Kryeqytetin, të cilin e miratuam për t’i dhënë fuqi e zhvillim Prishtinës, ka mbetur i mbuluar me pluhur në sirtarët e një qeverie që nuk di të qeverisë. Me energjinë e Kosovës Fituese dhe me përfaqësuesit tanë të përkushtuar si Besnik Tahiri, Haki Abazi, Brahim Mehmetaj, Shemsedin Dreshaj, Abdullah Klinaku dhe Emrie Bashota, do ta transformojmë kryeqytetin në një qendër të fuqishme ekonomike dhe administrative”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka folur para prishtinasve edhe për anëtarësimin direkt të Kosovës në NATO dhe për pensionet.
“Anëtarësimi direkt në NATO është imperativ strategjik për sigurinë dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Me një rritje ekonomike prej 7% në vit, me pagë mesatare 1000 euro dhe pensione 500 euro, me ulje të TVSH-së në produktet bazike dhe me një fond special për punësimin e të rinjve, do të ndërtojmë një ekonomi të fortë që i shërben çdo qytetari. Termocentrali i ri do të sigurojë pavarësinë tonë energjetike, ndërsa trefishimi i buxhetit për bujqësinë do të forcojë prodhimin vendor”, është shprehur Haradinaj.
Ai ka thënë se qeveria e drejtuar nga AAK me partnerët e koalicionit, do të merret me veprime konkrete sepse ka program konkret.
“Kosova Fituese është program konkret veprimi për një shtet të fortë e modern. Drejtësia e pavarur, lufta e pakompromis ndaj korrupsionit, sistemi shëndetësor cilësor me QKUK të reformuar dhe arsimi i financuar me 6% të GDP-së do të jenë themelet e shtetit tonë. Nga modernizimi i hekurudhave te ndërtimi dhe përfundimi i autostradave e rrugëve magjistrale; nga mbrojtja e prodhimit vendor te subvencionimi i eksportit – çdo projekt i yni ka një qëllim të vetëm: ndërtimin e një Kosove që fiton”, ka përfunduar Haradinaj.