Një debat polemizues mes deputetit Bekim Haxhiu dhe Ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia rreth gjendjes së rëndë në SHSKUK, ka nxitur paqartësi nëse po kthehen mjekët e ikur në Kosovë, apo po vazhdon trendi i largimit akoma. Deputeti Bekim Haxhiu ka thënë se në SHSKUK, po mbyllen shërbimet dhe po ik jashtë vendit stafi i mjekëve, ndërsa Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka folur për sukseset e SHSKUK-së duke kundërshtuar Haxhiun se shërbimet po hapen edhe më shumë. Të vërtetën e sqaron Mr.Sc Fitim Selimi, kirurg torakal në Klinikën Torakale të kësaj qendreje spitalore.
“Në 7 vjet e fundit trendi i ikjes së mjekëve nga Republika e Kosovës është ulur. Vetëm shikoni shifrat, unë nuk kam nevojë të flas këtu as t’ua sqarojë e besoj se këto shifra i ka edhe deputeti Haxhiu”, ka thënë Vitua dhe ka sjellur përshkrimin:
“Një analogji se në shtetet e rajonit për shembull në Maqedoninë e Veriut, dyfish ky numër është më i madh sesa me Republikën e Kosovës, mirëpo e rëndësishme se në këtë vit ka trend të uljes, e kjo mendoj se vjen ekskluzivisht për shkak të rritjes së pagave dhe përmirësimit të kushteve të punës, për profesionistët shëndetësor. Deputeti Haxhiu tha se statusi i SHSKUK-së, po i mbyll disa shërbime, ne deputetë e qytetarë të nderuar, çdo ditë po hapim shërbime të reja në spitalet regjionale dhe është absolutisht e pa vërtetë se statusi i SHSKUK-së parashikon mbylljet e shërbimeve, sa për mungesën e barnave që s’ka qenë kurrë më keq, një e pavërtetë tjetër. Ftoi edhe deputetin Haxhiu, edhe të gjithë ata që janë të interesuar, t’i marrin shifrat nga barnatorja qendrore e SHSKUK-së dhe ta shohin se në Kosovën e pas luftës, kurrë nuk ka qenë më të furnizuara se sot me barna edhe spitalet regjionale”, ka thënë Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, tek i është përgjigjur deputetit të PDK-së Bekim Haxhiu (Kamishi).
Mr. Sc kirurgu torakal Fitim Selimi: Në SHSKUK, kurrë nuk ka qenë më keq!
“Mund të flet kush çka të dojë, por në SHSKUK, kurrë nuk ka qenë më keq”, ka thënë Mr.Sc. Fitim Selimi, kirurg torakal i klinikës së kirurgjisë në SHSKUK.
Në një përgjigje për gazetën Telegram News, kirurgu Fitim Selimi i cili e njeh më së miri gjendjen në tërësi në këtë qendër spitalore ka thënë se nuk ka kthime të mjekëve në SHSKUK.
“Kthim të mjekëve nuk ka në këtë qendër spitalore, e me sa di unë as në qendrat tjera rajonale të Kosovës. Mund të ketë aty -këtu në disa klinika e spitale private ndonjë, por në SHSKUK, absolutisht asnjë kthim të mjekëve nuk ka. Si kirurg që jam këtu me përvojë shumë të gjatë, gjendja në SHSKUK, kurrë nuk ka qenë më e keqe, duke u nisur nga mungesa e stafit anesteziologjik, e mjekëve, infermierëve e deri te shërbimet higjeno-teknike. Është një mjerim i dukshëm dhe ne që punojmë këtu dhe njohim më mirë çdo realitet, e kemi të vështirë prej nga të nisemi që të shpjegojmë problemet me të cilat ne ballafaqohemi çdo ditë këtu.
Ajo që po e thotë Ministri Vitia, është fushatë elektorale, sikur qysh po flasin të gjithë në LVV, për ta kamufluar gjendjen në Kosovë, e ashtu sikur kanë folur me mburrje për krijim të rendit të sigurimeve shëndetësore e që ka dështuar totalisht. Pra, gjendja në SHSKUK dhe në spitalet rajonale të Kosovës, është e tmerrshme dhe ky rrethi i ministrit Vitia, kur mundohet të tregojë diçka nga të arriturat në shëndetësi, marrin edhe karriga e shtrate pacientësh nga klinika tjera dhe propagandojnë të arriturat. Gjithashtu edhe në furnizim me barëra gjendja është e rëndë dhe jemi larg standardeve të duhura të furnizimeve me barëra”, thotë Mr.Sc. Fitim Selimi kirurg torakal./Telegram News