Organizata e shoqërisë civile CorrWatch ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për emërimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Zyrës së Kryeministrit (ZKM), duke e konsideruar këtë akt si shkelje të qartë të dispozitave ligjore. Sipas organizatës, vendimi duhet të anulohet pasi nuk është respektuar procedura ligjore e përcaktuar nga Ligji për Zyrtarët Publikë.
Në reagimin e saj, CorrWatch ka theksuar se, pas më shumë se dy vitesh nga përfundimi i procesit të rekrutimit, Qeveria ka emëruar kandidatin e tretë në listën e tre kandidatëve fitues. Sipas Ligjit Nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë (LZP), konkretisht paragrafit 1 të nenit 42, mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë – në këtë rast Kryeministri – ka pasur obligimin të përzgjedhë një nga kandidatët fitues brenda dhjetë ditësh nga shpallja e listës së fituesve.
Megjithatë, CorrWatch ka rikujtuar se afati 10-ditor ka kaluar që më 25 korrik 2022, pasi lista e kandidatëve fitues është shpallur më 15 korrik 2022. Në rastet kur nuk ka përzgjedhje nga mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë brenda këtij afati, paragrafi 2 i nenit 42 të LZP-së përcakton që automatikisht konsiderohet i emëruar kandidati me pikët më të larta.
Organizata vlerëson se stërzgjatja e këtij procesi ka dëmtuar efikasitetin e procedurës së rekrutimit, duke e bërë të pakuptimtë këtë mekanizëm ligjor. Për më tepër, CorrWatch nënvizon se emërimi aktual është në kundërshtim me ligjin dhe si i tillë duhet të anulohet menjëherë.
“Vendimi për emërimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Zyrës së Kryeministrit është në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe përbën një shkelje të qartë të Ligjit për Zyrtarët Publikë. Prandaj, kërkojmë anulimin e menjëhershëm të tij,” thuhet në deklaratën e CorrWatch.
Ky zhvillim ngre shqetësime të mëdha për respektimin e ligjit dhe transparencën në proceset e rekrutimit për pozita të larta publike.