Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë të ditur se do ta shikojnë mundësinë që të diskutohet në publik për mbylljen e TikTok dhe Snapchat.
Kjo ka ardhur pas rastit të rëndë të ndodhur dy ditë më parë, ku mbeti i vrarë me thikë një 14-vjeçar nga bashkëmoshatari i tij.
“Shumë shtete po përpiqen të vendosin filtra mbrojtjës, por pa rezultat. Jemi angazhuar në hulumtimin e kësaj problematike. Austria e Franca po diskuton vendosjen si kusht hapjen e një llogarie on line të fëmijëve. Por tej këtyre përpjekjeve, problemi ende i hapur mbetet mungesa e një sistemi të zbatimit të tyre”.
Sipas kreut të qeverisë, “dilema jonë si qeveri është nëse duhet të provojmë edhe ne të ecim në drejtim të vendosjes së filtrave, kur në fakt efektiviteti i tyre është i ulët ndërsa stimujt e dhunës dhe bullizmit vetëm rriten, apo të ndërmarrim një masë drastike, për mbylljen e plotë të tik tok dhe snap chat. Do e hedhim për diskutim të gjerë”, tha ai.