Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë sot se Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut duhet të marrë vendim të drejtë për Ligjin për gjuhët “ku s’ka diskriminim dhe as përjashtime për shqiptarët”.
Mirëpo, sipas tij, në Maqedoni të Veriut s’mund të thuhet se gjuha shqipe ka qenë gjuhë zyrtare dhe se tash po rrezikohet, “pasi tri dispozitat e ligjit që janë kontestuar në Kushtetuese s’janë zbatuar në të kaluarën”.
Menjëherë pas kësaj deklarate, politikani i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoni të Veriut, Kreshnik Bekteshi i është përgjigjur Kurtit duke publikuar nenin 1 të Ligjit të përdorimit të gjuhën, ku theksohet në mënyrë eksplicite se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare.
“Mos e korit veten me dezinformimin e vazalëve!!! Ja ku e ke ligjin o Albin Kurti”, ka shkruar në Facebook ish-ministri Kreshnik Bekteshi.
Albin Kurti ka pritur sot homologun e tij maqedonas, Hristijan Mickoski, ku mbajtën mbledhje ndërqeveritare në Prishtinë.