Presidentja Vjosa Osmani ka takuar sot kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi me të cilin ka biseduar për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Në një njoftim të Presidencës është thënë se ky takim u zhvillua në funksion të garantimit të funksionimit kushtetues të institucioneve.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi për të diskutuar rreth përgatitjeve për procesin zgjedhor për zgjedhjet e rregullta parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt 2025. Në ketë takim, mes tjerash Presidentja Osmani theksoi rëndësinë që procesi zgjedhor të jetë një proces i drejtë, transparent, me integritet, dhe i bazuar në Kushtetutë dhe ligj.”, është thënë në njoftim.
Po ashtu në njoftim citohet se Radoniqi e njoftoi Presidenten për përgatitjet që KQZ-ja po bën lidhur me administrimin e zgjedhjeve, në mënyrë që të gjithë qytetarët të mund të ushtrojnë të drejtën e votës, në një proces zgjedhor të ligjshëm dhe transparent.