Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës 30 ditë paraburgim ndaj të pandehurit F.I., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale vrasja e rëndë në tentativë.
I pandehuri më 11 nëntor 2024, në rrugën “R.B.” në Ferizaj, ka tentuar të vrasë dy të mitura 10 dhe 14-vjeçe nga radhët e komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian, duke i goditur me thikë në pjesën e shpatullave.
Personat e sulmuar si pasojë e lëndimeve dërgohen në Qendrën Emergjente në Ferizaj, prej nga e mitura 10-vjeçe transferohet në QKUK në Prishtinë, ndërsa 14-vjeçarja lirohet në shtëpi.
I dyshuari po më 11 nëntor, në rrugën “E.T.” në Ferizaj, ka sulmuar me thikë N.SH., pjesëtar i komuniteteve rom, ashkali e egjiptian, me ç’rast i shkakton lëndime të rënda trupore, si pasojë e të cilave dërgohet në Qendrën Emergjente në Ferizaj prej nga transferohet në QKUK në Prishtinë, ku është duke u trajtuar.
F. I., po ashtu më 11 nëntor, në rrugën “H.S.” në Ferizaj, kryen një tjetër sulm me thikë ndaj E.A., pjesëtar i komuniteteve rom, ashkali, egjiptian, duke i shkaktuar të rënda trupore, si pasojë e të cilave dërgohet në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe pas marrjes së ndihmës mjekësore lirohet në shtëpi.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.