Votimi i buxhetit në Kuvendin e Kosovës për vitin 2025, nuk është i sigurt që kalon, edhe pse mazhornaca parlamentare e Vetëvendosjes në Kuvend i ka numrat, pasi miratimi i ligjit për buxhet kalon me votim të thjeshtë.
Partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK, nuk e mbështesin votimin e ligjit për miratimin e buxhetit më 2025.
“Partia Demokratike e Kosovës (PDK), nuk e mbështet miratimin e ligjit për buxhetin e vitit 2025, për disa arsye”, ka thënë për Telegram News, deputeti i kësaj partie Ferat Shala dhe ka zbërthyer shkaqet:
“Ligji për buxhetin ka kaluar në Komisionin qeveritar ku merr pjesë vetëm Vetëvendosje dhe ai pastaj bartet për miratim në Kuvend. Ata i kanë numrat për ta votuar, por unë besoj se kalimi në Kuvendin e Kosovës i ligjit për buxhetin nuk është i sigurt që i ka numrat as brenda mazhorancës parlamentare pasi që janë edhe disa deputetë të Vetëvendojes që kanë admirime për kalime në parti tjera dhe kanë edhe mospajtime me politikat e linjave buxhetore.
Për sa i përket PDK-së ne kemi deklaruar se nuk e votojmë këtë buxhet për shkak se nuk është përfillur asnjë rekomandim yni për planifikimin e buxhetit për vitin 2025 dhe këta kanë planifikuar një buxhet social ku mjetet financiare avullohen pa sjellur asnjë të mirë për vendin. Nuk ka planifikime buxhetore për projekte kapitale e as nuk ka planifikime buxhetore për zhvillim. Qeveria me këtë planifikim buxhetor për vitin 2025 ka treguar më shumë sa nuk di, sesa që di diçka në reagime zhvillimore dhe pres që ky buxhet nëse miratohet në Kuvend si i tillë, ai është një buxhet i avullueshëm”, ka deklaruar deputeti i PDK-së z.Ferat Shala.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), është deklaruar publikisht për mos votimin e buxhetit për vitin 2025 në Kuvend, sikur edhe AAK.
Analisti dhe eksperti për ekonomi Selatin Retkoceri ekskluzivisht për gazetën Telegram News, sjell të metat e planifikimit buxhetor dhe ka dhënë arsyet pse ligji për buxhetin e vitit të ardhshëm ka mundësi të mos kalojë në Kuvend.
Retkoceri: Ligji i buxhetit për vitin 2025 ka rrezik të madh për të mos marrë miratimin në Kuvend
“ Ligji i buxhetit është ligji më i rëndësishëm nga të gjitha ligjet të cilat i miraton Kuvendi i Republikës së Kosovës, me propozim vendim nga Qeveria. Qeveria në mbledhjen e vet të mbajtur ditë më pare ka miratuar propozim projektin për buxhetin e vitit 2025, ligj ky i cili ka marrë dritën jeshile për të kaluar në diskutim të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere. Ky komision ka miratuar projekt buxhetin vetëm me votat e antarëve të VV-së, duke e dërguar ligjin për aprovim në seancën e caktuar të Kuvendit me datë 11.11.2025 ditë e hëne. Paralajmërimet e opozitës janë se nuk do ta votojnë këtë buxhet të mbijetesës, buxhet të keq e para së gjithash tranzitor. Bazuar në realizimin e shpenzimit të buxhetit të vitit 2024, ku ishin planifikuar të shpenzohen 3,314 miliard euro, rezulton se buxheti i planifikuar nuk është shpenzuar sipas planifikimit”, thotë Eksperti Selatin Retkoceri.
Investimet kapitale prej 850 milionë eurove, gjatë vitit nuk janë realizuar as 50%
“Ngecje, apo mos realizim kemi pas sidomos në kategorinë e investimeve kapitale ku planifikimi ishte 850 milion euro, vlerë kjo e cila deri në fundin e vitit nuk pritet të shpenzohet as në masën prej 50%”, bën të ditur analisti Retkoceri dhe jep detajet tjera të gjendjes:
“ Buxheti i vitit të kaluar edhe pse ishte propaganduar se është një buxhet që garanton zhvillim ekonomik, del të jetë i pavërtetë meqë ministritë e Qeverisë që e kanë kompetencë planifikimin dhe shpenzimin e parave për investime kapitale, nuk arritën të shpenzojnë buxhetin sipas planifikimit. Nëse e krahasojmë planifikimin 4 vjeçar të kategorisë për investime kapitale, do të shohim se vetëm në këtë kategori kanë qenë të planifikuara afërsisht 3,060 miliard euro, derisa shpenzimet deri me 30 shtator 2024 janë afërsisht 1,230 miliardë euro, apo 40% e kemi shpenzimin e parave të planifikuara në kategorinë kryesore ku zhvillohet ekonomia. Gjithnjë duke marrë për bazë shpenzimin e parave të planifikuara për investime kapitale, plani buxhetor 2025 nuk ofron mundësi për të pritur një zhvillim ekonomik që garanton mirë qënje, punësim dhe përmirësim të kushteve të jetesës për popullatën. Nëse një qeveri nuk ka arritur të shpenzoj buxhetin e gatshëm të cilin e ka mbajtur në thesarin e shtetit ku e ka gërryer inflacioni i lartë mbi 20% për këto katër vite, atëherë si mund të presim nga kjo qeveri që shpenzon buxhetin e investimeve kapitale në ndihma sociale e lëmoshë që herë pas here u ndanë qytetarëve dhe kategorive të ndryshme sociale. Me këtë planifikim buxhetor që ofrohet me Ligjin e buxhetit të vitit 2025, nuk ofrohet zhvillim ekonomik, e sidomos kur e shohim shkallën kaq të ulët të shpenzimit të planifikimit për investime kapitale që për 4 vite mezi ka arritur në shkallën 40% që në shifra absolute i bie që 60% apo rreth 1,830 miliard euro janë para të bartura apo të pashpenzuara vetëm në kategorinë e investimeve kapitale. Nëse e llogarisim humbjen që ka ardhur vetëm nga inflacioni 4 vjeçar i mbajtjes në thesar të këtyre parave del një humbje mbi 350 milion euro, vlerë kjo kur ja shtojmë edhe humbjet e mëdha që e kanë pësuar bizneset, punëtoret dhe qytetarët del se humbjet e kalojnë 1 miliardë euro vetëm nga mos shpenzimi i buxhetit për investime kapitale, ky mos shpenzim i buxhetit e ka zvogëluar shkallën e zhvillimit ekonomik apo BPV së paku për 1.5% që në kushte të shpenzimit 100% të buxhetit shkalla e zhvillimit ekonomik do të arrinte në 5%. Planifikimi buxhetor për vitin 2025 që pritet të diskutohet ditën e hëne me 11 nëntor, sigurisht se do të kritikohet shumë nga opozita, sidomos kritika do të drejtohet në mosrealizimin apo shkallën shumë të ulët të shpenzimit të buxhetit të planifikuar për investime kapitale. Ligji i buxhetit që po e shohim si projeksion, për mua nuk ofron zhvillim dhe perspektiv ekonomik. Ky buxhet tenton të blejë një lloj të paqes sociale që nuk mund të jetë e qëndrueshme. Shpërndarja e parave të gatshme për kategoritë e ndryshme nuk paraqet zhvillim, paratë e tilla zakonisht përfundojnë në përfitim të bizneseve dhe ndikojnë në rritjen e inflacionit e rritjes së çmimeve, prandaj qeveria duhet të gjejë forma tjera të shpërndarjes së parave e jo në këtë formë. Shumë ma mirë do të ishte që kur të vendoset në ndarjen e 100.00€, e njëjta shumë të përpjestohet në 12 muaj, duke rritur kështu pensionin për 8€ e të jepet për 12 muaj se sa dhënie në formë lëmoshe, që faktikisht është blerje sociale e paqes. Disa vërejtje të cilat bien në sy gjatë leximit të Ligjit të buxhetit për vitin 2025:
Ku humben mjetet e buxhetit
Planifikimi buxhetor për investime kapitale për vitin 2024 ishte 850 milion euro, për këtë vit do të jetë 930 milion derisa për katër vite të qeverisjes kemi një planifikim prej 3,060 miliard euro. Shikuar si vlerë është shumë inkurajuese, por kur e shohim realizimin deri me 30.09.2024, ky buxhet ka arritur të shpenzohet vetëm në shkallën prej 40%, përqindë. Kjo ka stagnuar dukshëm zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve. Subvencionimi enorm i ndërmarrjeve publike, ku kanë përfunduar mbi gjysmë miliardi euro, para këto që i kanë marrë ndërmarrjet publike të cilat duhet të vetëfinancohen, në të kundërtën të falimentohen ose të privatizohen sepse forma e subvencionimit nuk lejohet në ekonomitë që synojnë të përqafojnë tregun e lirë. Kuvendi i Kosovës ka miratuar disa kredi të cilat nuk janë shfrytëzuar nga Qeveria ose ndërmarrjet publike të cilat i kanë marrë ato kredi nën garantim të qeverisë. Pagesat e avanceve për projekte të mëdha kanë kaluar kufijtë e lejuar ligjor. Afatizimi i parave të qeverisë në Bankën Qendrore të Kosovës, një dukuri jo normale që do të duhej ti ndodhte qeverisë. Buxheti i planifikuar duhet të shpenzohet, mos shpenzimi sipas planifikimit është dështim dhe përgjegjësi ligjore, prandaj dukuria e afatizimeve me qëllim përfitimi nga kamatat është antiligjore për institucionet qeveritare. – Në projektin buxhetor shohim se kemi një planifikim për shpenzim të mjeteve në skemën e shtesave të fëmijëve, për shëndetësi, për FSK-në, por nuk shohim asgjë më shumë se sa pagat për arsim, ku i kemi shkollat e digjitalizuara, ku i kemi shkollat me mësim gjithë ditor, kultura, sporti, ku i kemi 160 qerdhe, 4000 banesa për qiftet e reja, shtëpitë e pleqve apo ndoshta këto ja kemi lënë Halil Kastratit. Në fund shprehim shqetësimin se edhe ky buxhet për vitin 2025 e që mund të jetë tranzitor, do të jetë një buxhet i blerjes së paqes sociale, buxhet I varfërisë dhe mungesës së zhvillimit ekonomik”, deklaron eksperti për ekonomi Selatin Retkoceri./Telegram News