Ani pse ekipi i kandidates demokrate, Kamala Harris ishin optimist kur dhe filluan votimet për zgjedhjet presidenciale, me fitoren e Donald Trump si president e 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ende s’ka patur asnjë reagim nga ana e tyre. Pas shpalljes së fitores nga ana e Trumpit, kandidatja demokrate s’ka dalë ende me një deklaratë zyrtare. Aktualisht Harris numëron 223 vota elektorale, derisa Trump 276.
Demokratja, e cila është edhe nënpresidente, ishte përgatitur edhe për një fjalim para mbështetësve të saj në Universitetin Howard në Washington D.C, por që nuk ndodhi.
Mbështetësit e saj u drejtuan për në shtëpitë e tyre, duke lënë pas karriget bosh dhe flamuj të braktisur në vendin ku ishte paraparë të mbahej fjalimi i Harris.
“Ne nuk do të kthehemi prapa”, ishte fraza e fushatës së Kamala Harris, duke iu referuar politikave të ish-presidentit Donald Trump.
Në anën tjetër, Donald Trump, sot në një fjalim të mbajtur në Florida para simpatizantëve të tij, tha se ka siguruar një “fitore madhështore” derisa është shprehur kjo do të jetë “epoka e artë” e Amerikës.
“Kjo është një fitore madhështore për popullin amerikan, që do të na lejojë ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe”, shton ai, duke përdorur sloganin dhe frazën e tij të fushatës.
78-vjeçari do të bëhet gjithashtu ish-presidenti i dytë në histori që fiton përsëri Shtëpinë e Bardhë pasi humbi një ofertë për rizgjedhje ndërsa ishte në detyrë, gjë që para tij këtë e kishte arritur Grover Cleveland.
Zgjedhja e Trumpit president, vjen disa muaj pasi i mbijetoi dy atentateve kundër tij.