Inteligjenca artificiale konsumon aq shumë energji saqë qendrat e të dhënave për të zhvilluar teknologjinë në Evropë pritet të kenë nevojë për pothuajse tri herë më shumë energji deri në vitin 2030, sipas një studimi të publikuar sot nga firma konsulente McKinsey.
Sipas këtij hulumtimi, kërkesa për energji elektrike parashikohet të kalojë 150 teravat-orë (TWh) deri në vitin 2030 nga 62 TWh sa është aktualisht.
Kjo do të thotë se rreth 5 për qind e konsumit total të energjisë në Evropë do të shkojë për inteligjencën artificiale, ndërsa aktualisht konsumon rreth 2 për qind, thuhet në studim.
Sipas studimit, nevoja në rritje e inteligjencës artificiale për energji elektrike mund të përshpejtojë ndryshimet klimatike nëse nuk mundësohet nga burime të rinovuar të energjisë. Aktualisht, pjesa më e madhe e energjisë elektrike për qendrat e të dhënave ende vjen nga lëndët djegëse fosile.
“Kërkesa në rritje për energji elektrike të pastër sjell sfida të rëndësishme,” tha partneri i McKinsey, Diego Hernandez Diaz.
Burimet e besueshme të energjisë janë të disponueshme vetëm në një masë të kufizuar, vëren ai. Përveç kësaj, ka pengesa në disponueshmërinë e punëtorëve të kualifikuar.
Studimi tregon gjithashtu se kërkesa shtesë për energji elektrike të gjelbër kërkon investime të mëdha në burimet e rinovuar të energjisë.